Liderët e Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre për “ndikimet e jashtme”, që po shkaktojnë përçarje në shtetet e Ballkanit Perëndimor, pas disa lëvizjeve të fundit të Rusisë dhe aleatëve të saj në Ballkan, për të bllokuar lidhjet e ngushta me Perëndimit.
“Do t’i bëj të qarta shqetësimet e mija për destabilizimin e mundshëm në rajon dhe për rrezikun që prezanton për sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë kryeministrja britanike, Theresa May, teksa ka njoftuar se vendi i saj do të jetë nikoqir i samitit të ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, ku fokusin pritet të jetë fokusimin në rikthimin e stabilitetit në rajon.
“Në dyshimin për komplot për grusht-shtet në Mal të Zi, unë bëj thirrje që të bëjmë më shumë për të luftuar destabilizimin e rajonit nga fushatat dezinformuese ruse dhe të rritet dukshëm angazhimi i Perëndimit për këtë rajon”, ka thënë May në samitin e mbajtur në Bruksel.
Autoritetet në Mal të Zi, kanë thënë se serbët që veprojnë nën urdhrat e Rusisë, janë përpjekur që ta vrasin ish-kryeministrin Milo Gjukanoviq, në ditën e zgjedhjeve, që u mbajtën në tetor, si pjesë e një komploti për ta destabilizuar vendin.
Mali i Zi shpreson që më vonë gjatë këtij vitit të anëtarësohet në NATO, një lëvizje që Rusia e konsideron “provokim” dhe kërcënim për sigurinë e saj.
Presidenti i rizgjedhur i Këshillit Evropian Donald Tusk, para se të fillonte samiti i BE-së, aludoi në ndikimin negativ të Rusisë në rajon.
“Tensionet dhe përçarjet na kanë rrëshqitur nga duart, kryesisht për shkak të ndikimeve të pashëndetshme nga jashtë, të cilat kanë destabilizuar disa shtete. Unë do të ju propozoj liderëve që të ndërmarrim masa”, ka thënë Tusk, raporton Evropa e Lirë.
Në Ballkanin Perëndimor bëjnë pjesë Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Shqipëria.