I vetmi qeveritar nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim që duhet të përgjigjet para Prokurorisë Publike jam un. Pse nuk përgjigjen edhe qeveritarët e tjerë të BDI-së? Këtë pyetje e parashtroi nënkryetari i BDI-së, Nevzat Bejta, gjatë emisionit “Rruga drejt”. Bejta sqaroi se vetëm ata që luftojnë për drejtësi dhe demokraci, e që janë të sinqertë, detyrohen të enden nëpër prokurori. Nënkryetari i BDI-së akuzoi se ata funksionarë të cilët gjithashtu mund të kenë bërë krime, por që janë të lidhur me qarqet të cilat kanë ndikim në emërimin e prokurorëve, asnjëherë nuk merren në pyetje për asgjë. Këtu, Bejta i përfshiu funksionarët e VMRO-DPMNE-së, por edhe bashkëpartiakët e tij. Ndryshe, shkaku i “krahut të VMRO-së” brenda BDI-së, detyroi këtë parti që fillimisht të negocionte edhe me partinë e Gruevskit, bile mbajti pezull vendin deri në momentet e fundit. Sipas fjalëve të Nevzat Bejtës, rezulton që ky klan brendapartiak, janë “të ledhatuarit” e Nikolla Gruevskit dhe kushëririt të tij, ish shefit të shërbimeve sekrete, Sasho Mijallkovit.