Sela lëshon rrugën e Arbër Xhaferit, niset rrugës së Talat Xhaferit

A mund të paramendoni se si do të reagonte po të ishte gjallë Arbër Xhaferi, ndaj vendimit të Zijadin Selës që ta votojë Talat Xhaferin për kryetar Kuvendi? Sela deklarohet si pauses i rrugës së Arbër Xhaferit, mirëpo përkrahja e hapur dhe zemërgjerësia që tregon ndaj oficerëve të ushtrisë jugosllave e demaskon dhe e zhvesh tërësisht. Kjo nxjerr në pah se Sela jo që nuk e ka respektuar Arbër Xhaferin sa ka qenë gjallë, por nuk ka respekt ndaj tij as tani kur është ndarë nga jeta.
Menimi politik i Arbër Xhaferit ishte në kundërshtim të plotë me mendimin politik të kuadrove të JNA-së, si Gëzim Ostreni e Talat Xhaferi, në përqafimin e të cilëve gjendet sot Sela.
Ndryshe Kuvendi i Maqedonisë akoma nuk ka zgjedhur kryetarin e përbërjes së re parlamentare, por koalicioni BDI-LSDM-Aleanca ka caktuar Talat Xhaferin si emër kandidat për postin e kryeparlamentarit. Opinioni shqiptar kundërshtoi ashpër këtë propozim për shkak të së kaluarës të afërt dhe të largët të Xhaferit, e cila lidhet jo vetëm me skandale korruptive e kriminale, por edhe me shërbim në JNA (Jugoslovenska Narodna Armija).
Megjithatë, ajo e cila ka habitur edhe më shumë opinion publik, sidomos atë kritik, është fakti se Xhaferi mund të bëhet kryetar parlamenti me votat e Aleancës për Shqiptarët, e cila mori mandate deputetësh me fushatë pikërisht kundër BDI-së.
Është e qartë se BDI dhe LSDM nuk i kanë numrat e nevojshëm që të zgjedhin vetë kryeparlamentarin, pasi të dyja bashkë kanë vetëm 59 mandate deputetësh, ndërsa për kryetarin e Kuvendit duhet të votojnë të paktën 61 deputetë. Nëse Ziadin Sela me dy deputetët e tjerë nga Aleanca e tij nuk do t’i jepte “aminin” fjalës së Ali Ahmetit, që të propozojë për kryetar Parlamenti një ish oficer të JNA-së dhe bashkëpunëtor të ngushtë të Gruevskit, BDI dhe LSDM do të detyroheshin që postin e kryeparlamentarit t’ia japin opozitës së deridjeshme shqiptare, pra Lëvizjes BESA ose Aleancës për Shqiptarët.
Por, Ziadin Sela zgjodhi që edhe një herë të vihet në shërbim të Ali Ahmetit, duke përkrahur pa kushte kandidatin e tij për kryetar Kuvendi dhe duke tradhëtuar opozitën shqiptare. Pas intensifikimit të shërbimeve të tilla të Selës për BDI-në, pritet që këto dy parti të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato lokale ose parlamentare, duke zyrtarizuar koalicionin i cili siç dyshohet ka funksionuar fshehtas tashmë dy vite.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu