KOMENT/ Sa i drejtë është vendimi i “Lëvizjes BESA” kundër Talat Xhaferit kryeparlamentar?

Seanca konstituive e Kuvendit të Maqedonisë akoma nuk ka dhënë ndonjë rezultat, ndërkohë partitë politike shprehin qëndrimet e tyre mbi zgjedhjen e kreut të Kuvendit të ardhshëm të Maqedonisë. Në parlament deputetët e VMRO-DPMNE-së të Nikolla Gruevskit nuk lëshojnë radhë, duke e zgjatur kohën e formimit të komisionit për të votuar në Kuvend ndërsa tek partitë shqiptare ka pasur qëndrime të përbashkëta, përpos kundërshtimeve të Lëvizjes BESA ndaj Talat Xhaferit, kandidat nga radhët e BDI-së, LSDM-së dhe “Aleancës për Shqiptarët” për kryeteparlamentar, shkruan InfoShqip.com

LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët janë marë vesh mbi këtë post i cili sipas tyre do i takojë Talat Xhaferit nga rradhët e BDI-së, por ky i fundit ka hasur në kundërshtim nga Lëvizja BESA e cila nuk e pranon kandidaturën e Xhaferit me arsyen se ky post nuk duhet ti takojë një ish-ministri të qeverisë Gruevski.

Jetëshkrimi politik i Xhaferit kohëve të fundit ka përhapur polemika në opinion dhe nëpër rrjetet sociale. Lëvizja Besa e akuzon për përfshirje në ish armatën Jugosllave si oficer si dhe nga kjo parti e akuzojnë edhe për vitet të koalicionit qeverisjes mes BDI-së dhe VMRO-së. Në një komunikatë të lëshuar për media nga Lëvizja Besa në lidhje me kundërshtinë për kandidaturën e Talat Xhaferit Lëvizja BESA ndër të tjerash shpreheshte:

Andaj nuk mund të mos ritheksojmë se, sipas fjalës së urtë shqipe, se “Dita e mirë shihet n’sabah.”, sot përfundimisht ranë maskat për “epokën reformatore”, për “rrëzim të regjimit” dhe për “ndryshimin e kursit të vendit”. Ish ministri i Nikolla Gruevskit, i gjykuari për kërcënim me vdekje ndaj personit zyrtar më 2008, ministri që abuzonte me detyrën dhe u jepte honorarë kujt si ia kishte qejfi, për çka mori vërejtje serioze nga Komisioni për Antikorrupsion, sot propozohet të jetë emri i parë që do ta shënojë epokën e një qeverie reformatore. Nëse kështu fillojnë reformat, atëherë i bie se ne kemi perceptim të gabuar për termin reformë. Nëse me BDI-në fillon hallka e parë e reformave, atëherë – ju faleminderit – por ne nuk mund të jemi pjesë e reformave të tilla. Partia që për dhjetë vite me radhë, në vazhdimësi, ia mbante ison Nikolla Gruevskit dhe bashkërisht ishin shkaktarët e kësaj krize, që na lanë pas vetes procese të montuara politike, varfëri, shpërngulje, largim nga integrimi, “Shkupin 2014” etj., nuk mund të sjellë reforma. Nëse besojmë se ata mund të jenë reformatorët, kjo i bie që të mos besojmë në vetveten tonë”, përfundonte komunikata e Lëvizjes BESA.

Në lidhje me këta qëndrime të Lëvizjes BESA, nga BDI shprehen se Lëvizja BESA është rreshtuar pas VMRO-së pasi nuk e përkrahu kandidaturën shqiptare për kryeparlemntar. Deputeti i BDI Artan Grubi në debatin televiziv në RTV21-Maqedoni në emisionin “ClickPlus” shprehej  se Lëvizja BESA është rreshtuar pas VMRO-së pasi nuk e përkrahu kandidaturën shqiptare për kryeparlemntar

Kjo pasi nuk dha nënshkrimet e duhura për të përkrahur kandidaturën e Talat Xhaferit për kryetar Kuvendi dhe nëse i shikoni  edhe ulëset, ato janë ulur bashkë me VMRO-DPMNE-në”, tha Grubi i BDI-së në Click plus në TV21.

Edhe deputeti tjetër i BDI-së, Xhevat Ademi ka komentuar vendimin e Lëvizjes BESA që mos ta mbështesë Talat Xhaferin për kryetar Kuvendi, duke e quajtur atë si jo të denjë për atë pozitë. Ai tha se BESA do të paguajë kosto politike për këtë vendim.

Është për keqardhje, por është vendimi i tyre politik për të cilin ata mbase do të paguajnë kosto politike nga qytetari”, citohet të ketë thënë Xhevat Ademi.

Nga ana tjetër, edhe deputeti dhe zëdhënës i LSDM-së, Petre Shilegov  vlerëson se mospranimi i Talatit nga ana e BESËS është pjesë e demokracisë. Mirëpo, sipas tij një gjë është e sigurtë, LSDM dhe BESA janë pajtuar për demontim të regjimit të Gruevskit.

Kjo është e mira e demokracisë, për disa çështje partitë e shumicës parlamentare mund të merren vesh ndërsa për disa mund të mos pajtohen. Por për një çëshje jemi pajtuar, ajo është demontim i regjimit të Gruevskit”, deklaroi Shilegov.

Në lidhje me këtë situatë të krijuar gjithashtu edhe në rrjetet sociale ka pasur shumë polemika si mes aktivisitëve të partive në fjalë por edhe në opinionin e gjërë. Por sa është i drejtë vendimi i Lëvizjes BESA kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit kryeparlamentar i ngelet vetëm opinionit ta vlersojë, por duhet theksuar se në një kohë krize ku pretendohen reforma dhe ndryshime për zgjidhje të situatës zgjedhja e një figure e kontestuar për atë post nuk do ishte veprim premtues e shpresëdhënës./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu