Në Maqedoni vazhdojnë protestat kundër “platformës së Tiranës”, e të cilat në thelb nuk kanë tjetër qëllim pos që ta avancojnë edhe më tej platformën antishqiptare të cilën me aq sukses e realizuan regjimi VMRO – DPMNE dhe BDI. Protesta të këtilla kanë vetëm një qëllim: ose do t’i shpëtojnë kriminelët e po të njëjtit regjim, ose do ta kallin shtetin.
“Mbrojtësit” e Maqedonisë janë ndarë në dy “fronte”: ata që atë e mbrojnë në rrugë me protesta, si dhe politikanët e VMRO – DPMNE’së që atë e “mbrojnë” nëpër institucionet e shtetit, siç është rasti në Parlament ku nuk lejohet të votohet qeveria e re, apo edhe në Entin e Statistikave për të cilin thuhet se do t’i shlyej nga evidenca të gjithë mërgimtarët shqiptarë.
Thënë shkurt, të gjitha forcat antishqiptare janë mobilizuar që ta “mbrojnë” Maqedoninë nga “platforma e Tiranës”. Dhe siç duket kjo “mbrojtje” ka rezultuar me “fitore” konkrete ndër të cilat me e dukshme është ajo se nga dita në ditë rrënohen institucionet shtetërore. Nuk kalon pavërejtshëm edhe frika që i ka mbërthyer deputetët shqiptarë të cilët u lodhën duke u arsyetuar dhe duke shpjeguar se nuk kanë asgjë kundër Maqedonisë dhe ndonjëherë ta krijojnë përshtypjen se ndonjë ditë do të dalin në foltoren e parlamentit të Maqedonisë që të betohen se kurrë më nuk do të shkojnë në Tiranë, e lëre më atje të takohen me kryeministrin Edi Rama, i cili edhe mund t’i manipulojë që të veprojnë kundër Maqedonisë.
Andaj, përderisa “mbrojtësit” e Maqedonisë bëjnë çmos që ta pengojnë shqiptarizimin e vendit dhe derisa politikanët shqiptarë betohen në Zot e parti se ata kurë nuk kanë punuar dhe nuk do të punojnë kundër Maqedonisë, në këto rrethana askush nuk dëshiron ta vërejë se zgjidhja e krizës politike në Maqedoni është shumë e thjeshtë: ajo zgjidhet ose me largimin e deputetëve shqiptarë nga parlamenti, ose me shpërnguljen e shqiptarëve nga Maqedonia. Cilado nga këto dy zgjidhje do t’ua mundësonte antishqiptarëve që të heqin dorë nga protestat dhe bojkotimi i punës së Parlamentit të Maqedonisë.
Sido që ta kthesh, del puna se shqiptarët janë çelësi i zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni, sikundërse del se po ia hoqe Maqedonisë shqiptarët, atëherë “mbrojtësit” e saj maqedonas nuk do të kenë më se çfarë të mbrojnë, ngaqë nuk do të ketë më shtet të quajtur Maqedoni.
Xhevdet Pozhari