Ikja dhe mos-kandidimi i Izet Mexhitit në zgjedhjet lokale, i hap rrugën atij për tu bërë pjesë e ekzekutivit të ardhshëm. Kështu thotë edhe vetë nënkryetari i kësaj partie në emisionin 200 që u transmetua në Alsat M. I pyetur nëse e sheh vetën në ekzekutivin e ri, Mexhiti tha se nuk e përjashton vetveten që të jetë pjesë e qeverisjes së re, si bashkëpunëtor i afërt i Ali Ahmetit. Ndonëse gjatë gjithë kohës Mexhiti fliste për riformim të partisë së tij dhe sjelljen e kuadrove të reja, ai tha se nëse eventualisht nuk është pjesë e ekzekutivit, ai me siguri do të ketë ndonjë funksion të lartë në strukturat partiake, edhe atë, gjoja për të riformuar partinë. Nga ana tjetër, edhe vetë Mexhiti e pranoi se BDI ka pësuar një disfatë katastrofale në Çairin që dikur, siç tha vetë ai, ka qenë bastion i partisë së Ahmetit. Tani parashtrohet pyetja: A do të bëjë riformimin BDI-ja dhe sjelljen e figurave të reja, nëpërmjet personave si Izet Mexhiti të cilët për 12 vjet janë në skenën politike?!