Më shumë se një milion persona dolën këtë të diel në sheshin kryesor të Stambollit në një mega-miting të thirrur nga qeveria në “mbështetje të demokracisë dhe martirëve”. Megjithëse tubimi u thirr nga presidenti Rexhep Taip Erdogan, i cili mbërriti me një helikopter. Në të morrën pjesë edhe liderët e dy partive kryesore të opozitës.
Të gjithë të pranishmit mbanin flamuj turq, pasi u ndaluan simbolet partiake. Presidenti turk, u tha të pranishmëve se kjo ishte një mënyrë për t’i treguar botës se sa i fortë është solidariteti dhe uniteti i vendit. Në këtë mega-manifestim u bë një përmbledhje e ngjarjeve të fundit që pasuan vendin pas grushtit të shtetit të 15 korrikut.