Si pasojë e daljes nga shtrati të liqenit të Smilkovcit unaza rreth Shkupit ka mbetur e bllokuar nga prurje të baltës, pemëve dhe automjeteve të shkaktuara pas reshjeve të dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Dalje nga shtrati i liqenit tëSmilkovcit, përveç dëmeve materiale ka marrë edhe disa jetë njerëzish të cilët udhëtonin në këtë autostradë, trupat e të cilëve janë gjetur orët e para të mëngjesit të sotëm, transmeton Portalb.
Vlladimir Angellovski, shoferi i një kamioni, i cili përjetoi fatkeqësinë kur liqeni i Smilkovcit doli nga shtrati, për AA tha se në momentin kur deshi të shpëtojë një fëmijë, uji mori fëmijën bashkë me prindërit e tij. Ai ka thënë më tej se fatkeqësia ndodhi rreth orës 19:00, ndërsa ai qëndroi i bllokuar në kabinën e kamionit deri sa u ul niveli i ujit.
“Pas meje u paraqit një veturë, në të ishte një burrë, një grua dhe një fëmijë. Ata kërkuan ndihmë nga unë, ndërsa burri nxori fëmijën nga dritarja e veturës që të ma japë mua. Në momentin kur desha të kap fëmijën, uji i mori të tre, pastaj më rrotulloi edhe mua dhe rreth një orë e gjysmë mbeta i bllokuar në kamion”, u shpreh Angellovski.
Angellovski i cili theksoi se nga të gjitha anët dëgjonte të thirrura për ndihmë, shtoi se të gjithë njerëzit që jetojnë në rrethinën e liqenit dolën në ndihmë, ndërsa ndihma e shpejtë dhe policia arritën me vonesë për shkak se rruga ishte ebllokuar.
Pjesët më të prekura nga moti i keq dhe përmbytjet janë vendbanimet Stajkovci, Haraçina, Hasanbegu dhe Smilkovci./Albeu