Pas përmbytjeve dhe katastrofës së shkaktuar në fshatrat e rrethinës së Shkupit, me ç’rast pati edhe viktima në njerëz, duke ndjekur me kujdes gjendjen në terren, Lëvizja BESA gjen rastin të falënderojë të gjithë aktivistët e saj që kanë ndihmuar këtyre ditëve – qoftë në mënyrë individuale ose të organizuar nëpër organizata të ndryshme.
BESA e njofton opinionin se nuk do të shohë fotografi dhe parada të funksionarëve të BESËS nëpër këto vendbanime, sepse katastrofa e shkaktuar nga natyra dhe neglizhenca e politikanëve për neve nuk janë mjet i përfitimeve politike. Prandaj u bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve që kanë mundësi fizike të vazhdojnë të angazhohen në çfarëdo mënyre që munden dhe të ndihmojnë në tejkalimin e kësaj situate. Nuk kemi nevojë për fotografi dhe lajme nëpër rrjete sociale, por jemi të detyruar të shpëtojmë jetë njerëzish. Kjo gjendje nuk duron parada, por kërkon punë dhe mbështetje.
Po ashtu i falënderojmë edhe të gjithë miqtë që na kanë kontaktuar këto ditë duke dashur të ndihmojnë me donacione dhe, ashtu siç u kemi thënë atyre, i njoftojmë edhe të gjithë të tjerët se BESA të gjitha ndihmat humanitare i ka orientuar në organizatat humanitare.
Për fund edhe një herë i falënderojmë të gjithë aktivistët e BESËS dhe qytetarët e tjerë që janë në terren dhe i inkurajojmë edhe të tjerët që të dalin dhe të ndihmojnë, sepse miku i mirë njihet në ditë të vështirë. Këtu duhet ta theksojmë veçmas rolin e aktivistëve të Forumit të Gruas dhe të Forumit Rinor që janë në terren dhe që ditëve në vijim do të angazhohen në numër edhe më të madh.” /InfoShqip.com/