Rusia bllokon importin e verës malazeze, e cila hyn masivisht në Shqipëri

Shërbimi Federal për Mbikqyrjen e Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit dhe Mirëqenies në Rusi njoftoi të martën datë 25 Prill 2017 se ka ndaluar importin e verës nga kompania Plantaze, prodhuesi më i madh i verës në Malin e Zi.

Autoritetet ruse njoftuan se ndalimi i importeve u bë për shkak të mospërputhjeve të kritereve të cilësisë dhe sigurisë për konsumatorin që u vunë re në ngarkesat me verë nga kompania e lartpërmendur, shkruan Agroweb.

Zyrtarët e Shërbimit Federal zbuluan se disa kampionë të prodhimeve të verës malazeze nuk plotësonin treguesit e cilësisë dhe kriteret e sigurisë për konsumatorin.

Një ditë më pas, autoritetet malazeze u shprehën se vendimi i Rusisë për të ndaluar importet e prodhuesit më të madh të verës në vendin fqinj ishin të motivuara politikisht në vazhdën e pranimit të Malit të Zi në NATO.

Kompania shtetërore e prodhimit të verës Plantaze, mohoi pretendimet e Rusisë se ngarkesat alkolike të saj nuk plotësonin kushtet e nevojshme higjenike. “Është e qartë që ky vendim është marrë në kontekstin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO,” tha Kryeministri Dusko Markovic.

Sipas tij, qytetarët rusë “kanë humbur mundësinë të shijojnë verën më të mirë,” për shkak të “politikave të papërgjegjshme të autoriteteteve përkatëse.”

Administratori i kompanisë Plantaze, Milan Milutinovic u tha gazetarëve se 20 përqind e eksporteve të verës kanë si destinacion Rusinë. Sipas tij, në pesë vitet e fundit, Rusia ka blerë 10 milion shishe verë nga Mali i Zi, duke nënkuptuar se vendimi i Moskës për të ndaluar importet do të dëmtojë ndjeshëm shitjet e këtij produkti.

“Ne eksportojmë në 42 vende të botës, disa prej të cilave kanë masat më strikte për kontrollin e cilësisë. Ne nuk kemi pasur kurrë probleme të tilla,” tha Milutinovic.

Por sipas kreut të Qendrës Federale të Kërkimeve, Vadim Drobiz, prodhimet malazeze të verës zënë një vend jo të rëndësishëm në tregun rus.

“Rrjedhimisht, Rusia nuk do të heqë dorë nga vendimi për të ndaluar furnizimet me këto produkte nga kompania më e madhe malazeze e verës,” deklaroi ai.

“Askush nuk do ta vëjë re mungesën e verës së Malit të Zi. Pjesa që ky produkt zë në treg është absolutisht jo domethënëse, më pak se një grimcë në përqindje”- shtoi Drobiz në një intervistë për agjensinë e lajmeve Ria Novosti.

Vera e prodhuar nga kompania malazeze Plantaze shitet gjërësisht edhe në tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu