Revista prestigjoze “The Economist” komenton me tone optimiste situatën ekonomike në Shqipëri. Në raportin periodik për tremujorin e parë të vitit, “Intellicence unit”, njësia kërkimore e revistës “The Economist” vëren se rritja ekonomike është përshpejtuar ndërsa nuk mungon të japë as prognozën për zhvillimet politike.
“Koalicioni aktual qeverisës, që përbëhet nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, është në një pozicion të fortë për të mbajtur pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme të qershorit 2017”, shkruan “The Economist”.
Revista prestigjoze britanike pret që reforma në drejtësi të përfundojë me sukses, madje me shumë gjasa brenda vitit në vazhdim duke parashikuar se kjo do i hape rruge negociatave për anëtarësimin në BE.
“Pas reformës së sistemit të drejtësisë, Shqipëria do të marrë shpejt një ftesë për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por kjo nuk pritet të ndodhë para fundit të vitit 2017, ose edhe më vonë se kaq”, shkruhet më tej.
Por, hapësirën kryesore të raportit e zënë zhvillimet ekonomike.
“Rritja ekonomike në vitin 2016 është përshpejtuar në 3.2 për qind. Ndërkohë, për vitin 2017, rritja pritet të përshpejtohet në 3.5 për qind, si rrjedhojë e interesave më të ulëta të borxhit publik dhe përmirësimit të aktivitetit të brendshëm”, thuhet në shkrimin e “The Economist”.
Në lidhje me treguesit fiskal “intelligence unit” parashikon se defiçiti buxhetor në vitin 2017 do të jetë sa 2.4 për qind të PBB-së, një nivel ky lehtësisht më i lartë se angazhimi i qeverisë.
Kjo sipas revistës për shkak se buxheti mund të ndikohet nga zgjedhjet, një periudhe ku qeveritë gjithmonë tentojnë të rrisin shpenzimet. Por sipas saj konsolidimi fiskal do të rifillojë serish vitin e ardhshëm, ku defiçiti pritet të zbresë në 1.4 për qind e PBB-së, niveli më i ulët në historinë e financave publike të Shqipërisë. /Top Channel/