Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njofton opinionin publik se që nga data 1 maj 2017 përfundimisht janë ndërprerë të gjitha shërbimet e operatorëve të telefonisë mobile “Telenor” dhe “ViP mobile”, të cilët që nga pas lufta kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar në territorin e Republikës së Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim nga ARKEP bëhet e ditur se afati përfundimtar i caktuar për ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve nga operatorët në fjalë ka qenë data 1 maj 2017 dhe se për të verifikuar përmbushjen e këtij detyrimi, ekipi i ekspertëve të Radio Monitorimit nga ARKEP gjatë ditës së sotme ka realizuar matje në pjesë të ndryshme të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht hapësirave ku më herët kanë pasur mbulueshmëri operatorët “Telenor” dhe “ViP mobile”.
ARKEP bëri të ditur se pas kësaj matjeje është konstatuar se janë ndërprerë shërbimet e këtyre kompanive telefonike nga Serbia.
Ndryshe, në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, më 15 dhjetor të vitit të kaluar Organizata Ndërkombëtare për Telekomunikacion e OKB-së (ITU) ia alokoi zyrtarisht Kosovës kodin telefonik kombëtar 383.
Ndërkaq, sot ishte afati i fundit i dhënë nga Autoritetit Rregullativ i Telekomunikacionit për shuarjen e operatorëve ilegal të telefonisë fikse dhe mobile që veprojnë në veri të Kosovës.