Rama dhe Basha takim në Presidencën e Shqipërisë

Pas ftesës së Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, sot kryeministri i vendit, Edi Rama është takuar me liderin e opozitës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ndërsa në përfundim të tij, nuk ka patur marrëveshje mes palëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i cili ka zgjatur disa orë vjen në një kohë kur opozita vazhdon bojkotin parlamentar që prej 18 shkurtit, është realizuar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërsa në fokus të tij ishte ndërprerja e protestës së opozitës dhe regjistrimi i partive politike të opozitës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Në takimin ku merrte pjese edhe Nishani, Rama shoqërohej nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialistë të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ndërsa lideri i opozitës, Lulzim Basha, shoqërohej nga kreu i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edi Paloka, ndërsa takimi është mbajtur pa praninë e medias.

Ndërkohë në përfundim të takimit, Rama dhe Basha nuk kanë bërë deklarata për mediat, ndërsa Presidenca e Shqipërisë, në një njoftim zyrtar ka theksuar se gjatë takimit palët “prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj.” “Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”, thuhet në njoftim.

Protesta e opozitës vazhdon që prej datës 18 shkurt të këtij viti, me kërkesën për krijimin e qeverisë teknike për përgatitjen e zgjedhjeve të 18 qershorit dhe që nga kjo datë deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë se dje Presidenca e Shqipërisë, në një njoftim theksoi se “Presidenti i Republikës, Bujar Nishani po ndjek me shumë shqetësim përmasat që po merr kriza politike në vend. Ndaj edhe njëherë i kërkon kryeministrit të vendit dhe liderit të opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin. Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu