Fevziu zbulon gabimin e opozitës: Njerëzit u larguan pa marrë vesh ç’do bëhet më tej

Partia Demokratike ka mbajtur sot protestën e paralajmëruar, e dyta që nga ajo e 18 Shkurtit, që inicoi vendosjen e çadrës në bulevard. Përtej debatit shterpë mbi numrat dhe pjesëmarrjen, debat që në fakt nuk të con askund, ajo që është më shqetësuese, është pyetja: ku do shkojë opozita dhe cili është hapi i mëtejshëm i saj?Them që debati për numrat s’ka asnjë rëndësi, sepse në thelb, nuk është ai vendimtar por ideja që PD ka për të vijuar më tej. Varësisht hapave që do vendosë të bëjë dhe veprimeve që ndërpritet të marrë, PD – së mund t’i mjaftojnë për të pasur sukses edhe gjysma e atyre që kishte në bulevard dhe mund të mos i mjaftojë në një formë tjetër as pesë fishi i atyre që ishin sot. Beteja politike nuk është cështje numrash, por idesh, bindjeje dhe qartësie për t’i frymëzuar qytetarët.Në një editorial të thuajse 10 ditëve më parë, kisha shkruajtur se bllokimi i zgjedhjeve dhe suksesi i opozitës varej nga dy gjëra: e para nga mbështetja ndërkombëtare dhe e dyta, nga nxitja e një proteste masive popullore. Pra konsensusi popullor.

Kur flitet për protestë popullore, nuk flitet për mbështetës që dalin në një miting sepse cdo parti e madhe i ka numrat e saj dhe mund ta organizojë gjithnjë një miting të tillë, por flitet për pakënaqësi popullore, që organizohet dhe proteston vetë, që çon në paralizimin e shtetit dhe në rrëzimin e tij. Shembuj të tillë kemi shumë në botë.Për fatin e keq, PD nuk duket se po arrin asnjërën nga këto.Mbështetja ndërkombëtare, ashtu siç edhe pritej, nuk është në favor të aksionit për të bllokuar zgjedhjet dhe as për të penguar zhvillimin e tyre. Një sërë deklaratash kanë shkuar në favor të qeverisë për zgjedhjet e 18 Qershorit. Për fat të keq, edhe falë këtyre deklaratave, ato rrezikojnë të jenë zgjedhjet më absurde që nga koha e komunizmit dhe Shqipëria, rrezikon të bëhet i vetmi vend që nga gadishulli i Kamcatkës e deri në Ishullin Britanik që Parlamenti është monokolor. Ky nuk është vetëm turp, por edhe rrezik real për demokracinë.Mbështetja masive popullore mbetej rruga e dytë dhe e vetme e opozitës për t’u imponuar. Në fakt, pas 3 muaj protestë, mbështetja ka mbetur brenda atyre që votojnë opozitën (dhe që nuk janë pak në Shqipëri), por duket se nuk ka shkuar më tej.Sot, PD ka organizuar një protestë nga e cila qytetarët janë larguar pa kuptuar se si do të vijojnë. Kjo nuk duhej të ndodhte. Tani koha nuk punon në favor të opozitës. Qeveria e ka axhendën e saj të qartë: zgjedhjet e 18 Qershorit dhe rikonfirmimi i një supër mazhorance që kërkon të shkojë më tej. Pra mbështetësit e mazhorancës e dinë se cfarë do bëjnë dhe ku do shkojnë.

Ata të PD, sot nuk kuptuan konkretisht atë që do të vijojë. Aq më pak qytetarët e tjerë që duan t’ju bashkohen atyre. Paqartësia në politikë, është më vrastare se sa mediokriteti.PD nuk i dha sot përgjigje pyetjes thelbësore, c’do bëj më tej!? Ajo duhet të qartësojë sa më parë qëndrimin dhe axhendën e saj, ciladoqoftë ajo, sepse nëse hyn në stinën e pushimeve pa një ide të qartë, rikthimi aty ku u la në Shtator do të jetë shumë më i vështirë. Ndaj lidershipi i saj duhet t’i përgjgjet pyetjes që e bëjnë sot, besoj të gjithë: ç’do ndodhë më tej?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu