Problemet e mediave, dhe reformat e tyre nuk guxojnë të harrohen asesi, sepse nuk mund të ketë ndryshime shoqërore pa pasur ndryshime në media, vlerëson kryetari i Këshillit për etikë në media, Dragan Antonovski.
“Qeveria e re, ndër të tjera, në bisedimet me bashkësitë e mediave, dhe në bazë të premtimeve të tyre, janë pajtuar dhe kanë premtuar që në 6 muajt e parë do të realizojnë reformat në media, që do të bazohen në raportin e Pribesë dhe dokumentit të ashtuquajtur “Blueprint” e që ka dalë nga shoqëria civile. Ne të gjithë u pajtuam dhe i premtuam njëri tjetrit që nëse dëshirojmë prosperitet, demokraci dhe ndryshime në sistem , së pari , ajo që është ndër më të rëndësishmet është ndryshimi i fotografisë së mediave, gjegjësisht reformat në media.”-deklaroi Dragan Antonovski për InfoShqip.
Sipas tij kjo është një proces që do të zgjasë dhe nuk do të përfundojë për një ditë apo dy, por që e rëndësishme është që procesi të fillojë sa më shpejtë.
Siç njofton InfoShqip, Antonovski ka theksuar se qeveria e re duhet të gjejë një bilanc mes rregullimit të mediave me ligj dhe vetë rregullimit. Ai shpjegon se rregullimi me ligj duhet të jetë në aspektin e dhënies së licencave, për çfarë mediumi bëhet fjalë, e kështu me radhë, ndërsa vetë rregullimi duhet të jetë në aspektin e profesionalizmit të gazetarëve dhe aspektin etik të punës së tyre, gjegjësisht praktikimin e parimeve të punës së mediumeve nga e gjithë bota.
Kryetari i Këshillit për etikë në media, për InfoShqip tha se në këtë moment mediat janë të shkatërruara të gjithat, janë të robëruara nga elita politike dhe biznesore, mediat punojnë në çfarë do lloj standardi, ndërsa edhe kushtet e këqija që u afrohen gazetarëve nga punonjësit, nga një anë nuk i motivojnë që të punojnë në përputhje me standardet e gazetarisë./ InfoShqip.com