Zaev në Kuvend: Do të udhëheq qeveri reformuese

Pas pauzës 1 orëshe e cila vijoi pas fjalimit të kreut të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), mandatarit Zoran Zaev, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë vazhdon debati për pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhja e qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).

Nis seanca për formimin e Qeverisë së Maqedonisë

Mandatari Zoran Zaev të dielën mbrëma dorëzoi propozim-programin dhe propozim-përbërjen e qeverisë së re, në të cilën ministra do të kenë LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, subjekte politike të cilat kanë shumicë prej 62 deputetëve nga gjithsej 120 në Kuvendin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, seancën e filloi në gjuhën shqipe, ndërsa sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së Xhaferi që në fillim të mbledhjes e shkeli Rregulloren dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Antonio Milloshoski nga radhët e VMRO-DPMNE-së nga foltorja e Kuvendit theksoi se do t’i drejtohet si deputet dhe jo si kryeparlamentar, sepse sipas tij zgjedhja e Xhaferit është bërë në mënyrë jolegjitime.

Ndaj Milloshoskit u përgjigj kryeparlamentari Xhaferi, i cili deklaroi se është zgjedhur nga shumica parlamentare, por theksoi ai, “nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së i drejtohen si një deputet ai do të shfrytëzojë mundësinë e Rregullores për t’u drejtuar në gjuhën amtare, në atë shqipe”.

Kujtojmë se qeveria e re duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të mbledhjes, përkatësisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që ajo të zgjidhet nevojiten më së paku 61 deputetë nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit.

Para prononcimit të propozim-programit dhe propozim-përbërjes së mandatarit, në mbledhje u konstatua edhe dorëheqja e deputetit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, në bazë të së cilës Komisioni Shtetëror Zgjedhor do ta njoftojë Kuvendin për kandidatin të cilit nga lista duhet t’i verifikohet mandati.

Mandatari Zoran Zaev nga foltorja e Kuvendit deklaroi se do të udhëheqë qeveri reformuese, ndërsa tre themelet kryesore do të jenë përkushtim ndaj ekonomisë dhe jetës së të gjithë qytetarëve, institucione të fuqishme profesionale dhe drejtësi për të gjithë, si dhe anëtarësimi i plotë i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Zaev paralajmëroi normë mesatare të rritjes prej pesë përqind, rritje të pagës minimale në 16.000 denarë dhe deri në 30.000 të pagës mesatare.

Në propozim programin e qeverisë së re, dorëzuar deri te Kuvendi, theksohet se shumica parlamentare është fuqishëm e përkushtuar në përforcimin e unitaritetit, sovranitetit dhe stabilitetit të Republikës së Maqedonisë dhe se e deklaron vullnetin e saj të fuqishëm politik për formim të qeverisë reformuese e cila do të përqendrohet në prioritetet e përbashkëta strategjike të vendit, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe do të sigurojë tejkalim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të krizës politike përmes sigurimit të ndarjes reale të pushtetit, funksionimin e shtetit ligjor dhe ndërtimin e institucioneve të fuqishme dhe profesionale.

“Prioritetet politike të qeverisë do të mbështeten mbi rekomandimet e Raportit të Pribes, si dhe prioritetet urgjente të definuara nga Bashkimi Evropian. Shumica parlamentare do t’i përkushtohet ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndëretnike mbi parimet e respektit të ndërsjellë dhe tolerancës dhe zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, theksohet në Propozim-programin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu