Prokuroria Speciale nga 1 korriku nuk mund të ngre më akuza

Nesër skadon afati i parë i Prokurorisë Speciale për hetime dhe ngritjen e aktakuzave dhe nuk ka sinjale se këtij trupi që buron nga Marrëveshja e Përzhinos do ti vazhdohet mandati. Kjo po e lë Specialen me vetëm tre aktakuza të ngritura nga gjithsej 20 raste që i ka hapur prej themelimit të saj.

Për gjatë këtyre 18 muajve u hapën rastet “Titanik”, “Target”, “Tortura”, “Transportuesi”, “TNT”, “Fortesa” dhe “Fortesa2”, “Thesari”, “Toplik”, “Tenderat”, “Tanku”, “Tarifa”, “Trust”, “Tabela”, “Treqind”, “Total”, “Tifani”, “Traektorja”, “Lëndina” dhe “Talir”.

Aktakuza janë ngritur vetëm në raste “Transportuesi” për keqpërdorimin e tenderëve për transport të nxënësvenë Manastrit, “Fortesa2” për shkatërrimin e provave ku figuron shkatërrimi i pajisjeve për përgjim dhe “Shuplakat e Zhernovskit” me të akuzuarin e parë Nikolla Gruevski si porositës i dhunës ndaj kryetarit të Qendrës Andrej Zhernovski.

Të dyshuar dhe akuzuar janë dhjetëra ish funksionarë të lartë shtetëror dhe zyrtarë aktual komual që dyshohen për vepra të ndryshme kriminale dhe korruptive.

Prokurorja Speciale Katica Janeva, thuajse në shumicën e konferencave të fundit apelonte publikisht t’i vazhdohet mandati pasi ballafaqohen me shumë material voluminoz dhe jo gjithmonë hetimet shkojnë me dinamikën e paraparë, por VMRO DPMNE-ja është freni i këtij ndryshimi ligjor.

LSDM është deklaruar pro vazhdimit të mandatit, po ashtu edhe BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, por VMRO DPMNE vazhdon ta kundërshtojë çdo afat shtesë ose aktivitet të Prokurorisë Speciale që e quan dorë e zgjatur e LSDM-së. Pa votat e VMRO DPMNE-së nuk mund të vazhdohet mandati i Speciales pasi nevojitet votim i dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Pyetëm kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi nëse është paraparë që kjo pikë të jetë në rend dite të Kuvendit por nuk morëm përgjigje. As Prokuroria Speciale nuk ka përgjigje nëse do tu vazhdohet mandati dhe kur.

Gjatë 18 muajve të punës, Prokuroria Speciale nuk doli me asnjë hetim ndaj funksionarëve të lartë të BDI-së të cilët u kapën me dyshime në përgjimet e opozitës. Gjithashtu nuk janë shqyrtuar as rastet që dyshohen si të montuara, si Monstra, Sopoti dhe të tjera.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu