Nga Emin AZEMI
Pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Zaevit nuk kanë guxuar të kalojnë kufirin që e ndajnë bashkëpunimin pragmatik politik nga solidarizimi qytetar
Ata që po tregohen tash të zhgënjyer nga Zaevi, paskan pritur pa të drejtë se ai do të bëhet kalë beteje edhe për fushat e pashkelura politike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Këta shqipfolës që po e kritikojnë tash Zaevin, ka qenë dashur të mobilizojnë mendjen për një senzibilizim më të madh intelektual e mediatik , për të nxjerrë alternativën shqiptare jo brenda milieut politik maqedonas, por brenda shanseve të pashprehura politike shqiptare. Ose, së paku të kishin heshtur atëherë kur dikush që herët kishte ngritur zërin e rishikimit të raporteve (në sensin shumë pozitiv) me ata që nesër do të jenë pasuesit e Gruevskit.
Pse duhet të ndodhin bombat e Zaevit, për të na nxitur neve shqiptarëve në aksionin politik të radhës? A vetëm ‘’Monstra’’ qenka lajt-motivi që bashkon pakënaqësitë e shqiptarëve në tryezën e ofertave gjysmë të fshehura të Zaevit.
Pse, nuk kanë mjaftuar bombat e deritanishme të Gruevskit, për të na bërë të vetëdijshëm se vetëm një mobilizim i madh shqiptar në Maqedoni, mund të sjellë ndryshimin dhe zëvendësimin e elitave të deritanishme (BDI-PDSH) të harxhuara e korruptuar me një skuadër të re njerëzish pa hipoteka dhe të përgatitur për beteja kolektive e jo individuale, për beteja që nxjer në pah heroin e ardhur nga konkurrenca e fortë e dijeve dhe ekeperiancave europiane.
Sdo mend se kjo që po bën tash Zaevi, duhet maksimalisht të shfrytëzohet edhe nga shqiptarët dhe janë të pakuptimta dilemat idiote që mundohen të relativizojnë aksionin politik të Zaevit duke e krahasuar me Gruevskin, por tingëllon shumë dorëlëshuar ky babagjanllëk i shqiptarëve për të kompensuar përmes opozitës maqedonase mungesën e një zëri autentik politik e intelektual shqiptar.
Shqiptarët shumë kohë harxhuan duke pritur nga Zaevi më shumë se sa mundet ai realisht t’u jep atyre në këtë atmosferë protestash e pakënaqësish qytetare. Pritshmëritë e shqiptarëve ndaj Zaevit nuk kanë guxuar të kalojnë kufirin që e ndajnë bashkëpunimin pragmatik politik nga solidarizimi qytetar, kurse edhe më pak kanë mundur të presin ata që krejt kauzën opozitare shqiptare e kanë mbështetur në bombat e pashpërthyera të Zaevit.