BESA LETËR LIDERËVE PËR LISTËN ZGJEDHORE

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, u ka dërguar nga një letër katër liderëve të partive parlamentare në Maqedoni: Menduh Thaçit të PDSH-së, Ali Ahmetit të BDI-së, Nikolla Gruevski nga VMRO – DPMNE dhe Zoran Zaev të LSDM, të cilët janë njëkohësisht edhe nënshkrues të “Marrëveshjes së Përzhios”. Në këtë mënyrë, Lëvizja Besa çon përpara aksionin për shpëtimin e 40 mijë personave që rrezikohen të fshihen lista zgjedhore.

“Ju e keni për detyrim juridik, politik, moral, por edhe njerëzor që ta shpjegoni si u bë kjo që shqiptarët po fshihen nga lista zgjedhore dhe ju nuk reagoni fare për këtë! Këtu dua t’ju rikujtoj se kjo mënyrë e sjelljes suaj ndaj votuesve shqiptarë, që me një kalem fshihen sikur të mos jenë fare, le që nuk ju bën dobi juve si parti dhe spektrit politik shqiptar në Maqedoni, por kjo merr përmasa shqetësuese që historia jonë kombëtare në këtë vend do ta shënojë mbase si veprën që më së shumti e ka tradhtuar besimin e shqiptarit të këtyre trojeve” qëndron në letrën e numrit një të BESËS, Bilall Kasami.

Mes tjerash, nga kjo Lëvizje shprehen të shqetësuar se pas gjithë ngjarjeve që ndodhin në Maqedoni, populli shqiptar është ai që pëson dhe dëmtohet më së shumti.

“Shqetësuese për BESËN është se, ndonëse liderët e partive shqiptare pohonin se kriza politike në Maqedoni është krizë ndërmjet dy partive maqedonase dhe se shqiptarët nuk kanë të bëjnë me të, në fund doli se ata që e paskan dëmtuar vullnetin demokratik të Maqedonisë paskan qenë votuesit shqiptarë, ngase rreth 40 mijë sosh po pastrohen nga lista”, qëndron më tej.

Lëvizja Besa, me çdo kusht kërkon që këta votues të rikthehen në listën zgjedhore dhe të normalizohet kjo gjendje, sepse siç thonë edhe ata, shqiptarët e Maqedonisë mund të ju regjistrojnë për një vepër, me të cilën edhe pasardhësit do të turpërohen.

Në bazë të listës së shpallur nga KSHZ-ja, 40 mijë persona rrezikohen të fshihen nga kjo listë. Prandaj Lëvizj Besa, publikisht ka treguar se do ta kontaktoj secilin votues të asaj liste dhe do t’ia dorëzojnë një fletushkë me udhëzime se si të rikthehet në listën e votimit, sepse sipas tyre votuesit e shpallur si të dyshimtë, kanë të drejtë të dinë arsyen e fshirjes së tyre.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu