Ministri Brendshëm Oliver Spasovski ka suspenduar Kryeshefin e Shërbimeve Qendrore policore, Goran Georgievski si dhe kryeshefin e njësiteve speciale, Mitko Peshov. Alsat mëson se në mesin e të suspenduarve gjenden edhe 30 përfaqësues të tjerë të policisë, njofton Alsat M.
“Në bazë të analizave të gjendjes faktike është konstatuar se gjatë marrjes së masave konkrete dhe aktiviteteve të përfaqësuesve të MPB-së, në sigurimin e Kuvendit janë bërë lëshime dhe atë: në procesin e grumbullimit të informatave, mungesa e analizave adekuate, planifikimi i resurseve, vlerësimi i rreziqeve, zbatimi i kompetencave policore si dhe pjesa e zbatimit të ingerencave policore. Gjithashtu lëshime janë konstatuar edhe në pjesën e sjelljes etike dhe profesionale të nëpunësve policorë të cilët kanë kryer detyrën e tyre para dhe pas ngjarjes”, thuhet në raportin e përgatitur për konstatimin e gjendjes faktike të ngjarjeve të 27 prillit.