Në Kosovë sot mbyllet fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen të dielën. Tashmë partitë janë rigrupuar në koalicione të ndryshme, partitë kryesore mbyllin fushatën me tubime të mëdha.
Në orën 15:00, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj mbyll fushatën për koalicionin PDK, AAK dhe Nisma për Kosovën. LDK-AKR-alternativa me kandidat Avdullah Hotin, në orën 17:00 dhe Albin Kurti me Vetëvendosjen në orën 21:00. Heshtja elektorale nis në mesnatë.
Fushata elektorale u zhvillua me ritme të shpejta, fokusi i tyre gjatë këtyre ditëve ishte kryesisht te zhvillimi i ekonomisë, ku përfshiheshin rritja e buxhetit, zbutja e papunsisë, përkrahja për bizneset dhe prodhuesit vendor, po nuk munguan as premtimet për rritjen e pagave, pensioneve, si dhe përmirësimin e gjendjes në shëndetësi e arsim.
Në listën përfundimtare të votuesve janë 1 milion e 872 mijë e 941 qytetarë me të drejtë vote apo krahasuar me vitin 2014, 155 mijë e 202 votues më shumë. Numri i qendrave të votimit është 889 me 91 qendra të votimit të shtuara në krahasim me zgjedhjet e vitit 2014-të. Ndërkaq, sipas të dhënave, në krahasim me vitin 2014, KQZ-ja këtë vit ka larguar si persona të vdekur 38 mijë e 542 votues.