Projekti kundërthënës “Shkupi 2014”, bazuar në deklaratat e zyrtarëve, nuk do të rrënohet, madje nuk do të preken as përmendoret që gjatë katër viteve të kaluara kanë qenë objekt i tensioneve të shumta, jo vetëm ndëretnike, por edhe me shtetet fqinje, para së gjithash me Greqinë në rastin e ngritjes së shtatoreve të personaliteteve, përkatësia etnike e të cilëve kontestohet nga shteti fqinj.
Për ngritjen e 39 skulpturave, 34 përmendoreve, 28 ndërtesave administrative, 6 garazheve nëntokësore, ndryshimit të thuajse të gjitha fasadave të ndërtesave të banimit, e të shumë projekteve tjera, janë shpenzuar më shumë se 640 milionë euro.
Drejtuesit e qeverisë thonë se projekti paraqet masakër të vërtetë ndaj kulturës, por edhe urbanizmit në përgjithësi, por nuk do të rrënohet. Kjo pasi, sipas tyre, për rrënimin e tij, do të harxhoheshin po aq para sa janë shpenzuar për ndërtimin e këtij projekti të diskutueshëm.
Nga Qeveria thonë se do të ketë një debat të gjerë mbi këtë projekt lidhur me mundësinë për destinimin e tyre.
Por, njohësit e rrethanave politike, por edhe të debateve në lidhje me këtë temë, thonë se projekti të paktën duhet t’i nënshtrohet një ndryshimi sa i përket përmendoreve që nxisin tensione ndëretnike. Gjithashtu, edhe për faktin se nga gjithë këto projekte, vetëm tri i përkasin historisë shqiptare, edhe ato të ngritura pas kritikave të shumta në opinion për karakterin një-etnik të projektit.
“Projekti ‘Shkupi 2014’ është projekt një-etnik, nxitës se pse aty janë vendosur përmendore që provokojnë shqiptarët. Gjithsesi, duhet të largohet një pjesë e madhe e figurave kundërthënëse, si përmendorja e Car Dushanit, ajo e Qosetos para Gjykatës Themelore, sepse nxisin mllef dhe urrejtje në marrëdhëniet ndëretnike dhe kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet nga ana e ekspertëve”.
“Për realizimin e këtij projekti, jo vetëm që janë harxhuar miliona euro nga buxheti i shtetit, por edhe shumë të tjera janë marrë haraç nga popullata në Maqedoni”, thotë Isak Sherifi, profesor i Historisë në Universitetin e Tetovës.
Edhe aktivistja Mirjana Najçevska, profesoreshë në Universitetin e Shkupit, thotë se duhet të ketë të paktën disa masa, qoftë për të arsyetuar kundërshtimet edhe të vetë pushtetit të tanishëm, i cili kur ishte në opozitë, kundërshtonte fuqishëm këtë projekt të Qeverisë së Gruevskit.
“Mendoj se përmendore të caktuara si ajo e Qosetos, e Aleksandrit dhe e Filipit të Dytë duhet të largohen pasi ato nuk janë asgjë tjetër pos një histori e sajuar që i mashtron njerëzit duke i larguar nga ajo që nënkupton kulturë e vërtetë të këtyre trevave. Mendoj se do të ketë debat të hapur me kundërshtime të fuqishme”, konsideron Najçevska.
Nga Ministria e Kulturës shprehen se do të kenë kujdes sa i përket përmendoreve të personaliteteve shqiptare, të paktën për vendosjen e tyre në vende të duhura por edhe mbylljen e projekteve të nisura.
“Sa i përket vendosjes së monumenteve të figurave të rëndësishme shqiptare, për ato që janë të gatshme për vendosje, do të ketë konsultime me qëllim që këto shtatore të vendosen në vendin e duhur, në mënyrë dinjitoze dhe të paraparë me ligj, e cila nuk do të shërbejë si shkas për të ashpërsuar tensionet etnike, por si shembull për respekt të ndërsjellë”, thuhet në prononcimin nga Ministria e Kulturës.
Por, nga ana tjetër ekspertët konsiderojnë se shqetësuese janë edhe ndërtimet e shumë objekteve tjera administrative, para së gjithash cilësia e dobët e materialeve. Përfaqësues nga Shoqata e Ndërtuesve, janë shprehur kundër rrënimit të objekteve, por kërkojnë masa të veçanta kujdesi.
“Ajo që tani është ndërtuar, nuk është e mençur të rrënohet. Kështu që ajo duhet të mbetet, pasi është lehtë për të rrënuar. Vlerësojmë se duhen masa të veçanta për mbikëqyrjen e këtyre objekteve. Materialet që janë përdorur, nuk janë cilësore, pra janë imitim, janë nga stiropori, nga material që nuk është ndërtuar në mënyrë cilësore”, thotë Atanas Trajkovski, nga Sindikata e Pavarur e Ndërtimtarisë.
Ky projekt i Qeverisë së VMRO-së dhe BDI-së ka qenë edhe objekt i kritikave nga bashkësia ndërkombëtare, në rend të parë për shkak të tensioneve ndëretnike dhe përkeqësimit të raporteve me Greqinë, me të cilën më shumë se 20 vjet nuk po arrin ta zgjidhë kontestin për emrin. /REL/