Gjuha shqipe në Maqedoni është gjuhë e popullit shqiptar autokton, nuk është dhe assesi nuk duhet të trajtohet si gjuhë e përqindjes së qytetarëve në këtë shtet.
Gjuha shqipe që flitet dhe shkruhet ndër shekuj në të gjithë hapësirën etnike shqiptare, edhe në Maqedoni, është gjuha e tokës dhe e gjakut, e historisë dhe së ardhmes; gjuha e Shën Hieronimit, Shën Konstandinit dhe Shën Terezës; kjo është gjuha e djepave dhe varreve tona, e stërgjyshërve, nënave dhe baballarëve, e jona dhe brezave që do të vinë pas nesh; gjuha e mbi 40% të qytetarëve të këtij shteti. Gjuha shqipe, si gjuhë më e vjetër evropiane, një nga 30 gjuhët më vitale dhe të rëndësishme të botës së sotme, është turp të emërtohet si gjuhë e përqindjeve politike!
Më mirë të miratohet një Ligj për ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe (ku do të përmendej së paku gjuha shqipe), siç dëshirojnë realisht nacionalshovinistët e politikës aktuale në Maqedoni, se një Ligj për përdorimin e gjuhës së përqindjes (i cili e mohon gjuhën shqipe dhe identitetin e popullit shqiptar, shumicë e konsiderueshme në këtë shtet)!
Emërtimi i Ligjit të propozuar:
Закон за употреба на јазик што го зборуваат најмалку 20% од граѓаните во Република Македонија и во единиците на локалната самоуправа
Ligj për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale
Edhe sipas Projektligjit të ri, kinse për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, që në fakt bën fjalë për gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni, gjuha shqipe edhe më tej nuk do të jetë gjuhë zyrtare, por gjuhë në përdorim zyrtar në nivel të njësive të vetëqeverisjes lokale, si edhe gjuha serbe, turke dhe rome, ku këto gjuhë i flasin 20% të qytetarëve në nivel të 3-4 komunave, ndërkohë që partitë politike të shqiptarëve që e përkrahin këtë Projektligj edhe më tej do të vazhdojnë ta konsiderojnë veten se janë parti shqiptare, jo subjekte të 20 % të qytetarëve!
Qeveria që edhe më tej do të vazhdojë t’i trajtojë shqiptarët si përqindje, jo si popull me të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk mund t’i përfaqësojë interesat e shqiptarëve dhe si e tillë duhet të konsiderohet si jodemokratike.
Çfarë dobie mund të kenë shqiptarët nga një Ligj që ua mohon identitetin e tyre kombëtar dhe i trajton si përqindje?!
Porosi jonë për partitë politike parlamantare të shqiptarëve do të ishte: të fillojnë me reformat tjera të Qeverisë së re, siç u kanë premtuar zgjedhësve të tyre, se kanë shumë punë për të bërë, por të mos prekin në çështjet ku nuk kanë mundësi t’i ndryshojnë gjërat për të mirë.
Të jeshë i pushtuar dhe sunduar për shkak të rrethanave të caktuara, nuk është njësoj sikur ta nënshkruash kapitullimin me dorën tënde!
Pushoni të talleni me shqiptarët dhe me gjuhën shqipe!
Mos nënshkruani me dorën tuaj ligje të këtilla turpi!