Kur do t’i vjen rendi rastit “Monstra”? Përgjigjet PSP

Rasti i Gruevskit me Zhernovskin, nuk është më i rëndë se “Monstra”. Zhernovski dhe ish kryeministri janë të dy jashtë, ai rast mund të pres, ndërsa te rasti “Monstra” kemi persona të burgosur, paraburgimi është ende aktual nuk është vuajtje dënimi. Kaluan gati 4 vite e gjysmë, ende këta janë në paraburgim, ende nuk e dimë fatin e këtyre. Kjo duhet të jetë prioritare, por nuk e di nuk është në dorën tonë. Kështu shprehet në deklaratën e dhënë për Portalb.mk Bedri Ajdari, familjar i të akuzuarve në rastin “Monstra”.

Bedri Ajdari këto komente i ka bërë pas thirrjes së kryetarit të komunës Qendër Andrej Zhernovski në Prokurori Speciale për lëndën e dalë nga përgjimet, ku ish kryeministri Nikolla Gruevski porositë ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve- Mile Janakievskin, “t’ia “lidhin” dy – tre shuplaka të forta kryetarit të sapozgjedhur të Komunës Qendër, Andrej Zhernovski”.

Ajdari ka humbur besimin në të gjitha institucionet e drejtësisë. Ai ndjehet i pafuqishëm, por edhe i habitur se pse ende nuk është hap lëndë nga Prokuroria Speciale për rastin “Monstra”, në moment kur nga PSP thonë se kanë intensifikuar punën.

“Në deklaratën e fundit të PSP-së, nga aty thanë se do të dalin në objekt të ri dhe do të fillojnë me punë. Nëse fillohet me dëgjimin e përgjimeve për “Monstrën” dalëngadalë do të arrinin diku. Por, nuk e di, nuk dimë më as kujt t’i drejtohem. Nuk kemi asnjë garancë, as me fjalë, se do ta marrin lëndën. Ndoshta ka me të vërtetë material shumë aty, ka shumë përgjime. Por si ka arritur, për shembull Zaev ta dijë se njerëzit e akuzuar për “Monstrën” janë të pafajshëm”, tha për Portalb Ajdari.

Prokuroria Speciale Publike së fundmi ka paralajmëruar se do ta intensifikoj punën e saj. Portalb është interesuar që përgjatë kësaj periudhe a do të merret edhe rasti i “Monstrës”.

Prokurorja Speciale Lençe Ristovska për Portalb tha se nuk ka informacione për të gjitha materialet veç e veç që në këtë moment të jap përgjigje, se cilat janë procedurat.

“Mendoj se nuk është ai rast dhe se për atë rast do të keni lajmërim të posaçëm se kur do të jetë. Duhet të kuptoni se kemi shumë material të përgjimeve, ashtu siç dëgjohen hapen edhe procedurat. Ne nuk e dimë cili përgjim për çfarë është. Duhet ta dëgjoni materialin për ta parë se a është për “Monstrën” apo jo. Në bazë të asaj se kujt i referohen përgjimet hapen edhe procedurat parahetimore”, deklaroi për Portalb Ristovska.

Kur do të dëgjohen, shton ajo, edhe përgjime të tilla, kuptohet se publiku do të ketë informacion adekuat.

“Për momentin informacion të tillë nga ana e kolegëve te unë nuk ka arritur”, përfundoi prokurorja Ristovska.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu