I burgosuri E. Zenuni nga Kumanova është rrahur brutalisht nga gardianët në burgun Kshanje, disa kilometra nga qyteti i Kumanovës. Rasti është bërë i ditur për INA nga familjarë të të burgosurit, por edhe nga Spitali i Kumanovës, ku i rrahuri ka qëndruar për mjekim deri në orët e mëngjesit, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
“Rrahja ka qenë brutale, pasi që është rrahur në mënyrë të organizuar nga gardianët. Pavarësisht, ky brutalitet është i paparë dhe nuk duhet toleruar. Ka masa tjera sanksionuese që mund të ndërmerren dhe jo të ushtrohet dhunë. Është koha e fundit që të ndërmerren masa nga ministri i ri i drejtësisë dhe institucionet e tjera”, theksuan për INA, familjarë të të burgosurit, të cilët janë njoftuar nga burime pranë burgut se i afërmi i tyre i ka shpëtuar jetës, pasi që pak sekonda e kishin ndarë nga vdekja.
Familjarët apelojnë që ministri i drejtësisë Bilent Saliji të zbardh rastin, të kërkojë përgjegjësi nga burgu i Kumanovës, ku nuk ka asnjë gardianë shqiptarë, përveç se një zv/drejtori të burgut. Po ashtu kërkohet përgjegjësi edhe nga Avokati i Popullit dhe institucionet e tjera për të drejtat e njeriut. (INA)