Itali, 120 viktimat nga seria e tërmeteve; vijojnë kërkimet nën rrënoja

Bilanci i viktimave të serisë së tërmeteve që tronditën këtë të mërkurë Italinë është rënduar ndjeshëm, duke shkuar në 120 njësi.

Shifrën e ka bërë të ditur vetë kyeministri italian, Matteo Renzi, i cituar nga mediat e vendit fqinj. “Janë 120 jetë të humbura”, ka thënë Renzi, ndërkohë që të plagosurit sipas tij janë rreth 270.

Lëkundjet sizmike të verifikuara në vendin fqinj u ndjenë në rajonet Umbria, Lacio dhe Marke, duke shfarrosur qytezat Amatriçe, Akumoli dhe Peskara del Tronto. Gjithësej ishin mbi 300 lëkundje, më e fuqishmja prej të cilave 6 ballë, ndërsa të paktën 55 të tjera mbi 3 ballë.

Sipas mediave italiane, lëkundja më e dhunshme u regjistrua në orën 03:36, duke zgjuar nga gjumi mijëra banorë. Ajo u ndje nga Rimini deri në Napoli, me epiqendër lokalitetin Akumoli, provincë e Rietit, në Lacio, në 4 kilometra thellësi.

Pikërisht në Akumoli, që ndodhet pranë qytetit Amatriçe, janë regjistruar dëmet më të mëdha. Siç deklarojnë zyrtarët lokalë, zona është kthyer në pluhur.

Ndërkohë, grupet e ndihmës së shpejtë vijojnë kërkimet nën rrënoja, ku personat e bllokuar druhet se janë ende shumë.

Sipas të dhënave të fundit të së përditshmes “La Repubblica”, bilanci është i destinuar të rëndohet. “Kur të hyjmë nëpër shtëpi do të gjejmë kufoma të tjera”, citon gazeta një funksionar të shërbimeve të emergjencës.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve “ANSA”, gjatë pasdites ka patur lëkundje të tjera dhe aktiviteti sizmik në zonën e tërmetit mbetet ende i fortë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu