Komisioni ad hoc: Ja çfarë thonë Sefer Tahiri dhe Daut Dauti

Dy kandidatët më serioz për t’u bërë anëtar i 5-të i Komisionit ad-hok për mbikëqyrjen e mediave, profesori universitar Sefer Tahiri dhe Daut Dauti, kanë betonizuar pozicionet e 4 anëtarëve tjerë të Komisionit, shkruan DW në gjuhën maqedonase.

Rezistenca ndaj Dautit është se ka qenë anëtar i Komisionit për lustrim, ndërsa ndaj Tahirit se ka qenë pjesëmarrës në debate partiake, transmeton Portalb.

“Më vjen keq, dy kolegë- unë dhe Sefer Tahiri- u bëmë dëm kolateral”, tha për DW Dauti.

Ai ka thënë se punën në Komisionin për lustrim e ka kryer në mënyrë profesionale.

“Fakti që publiku jonë nuk ishte e gatshme të ballafaqohet me të kaluarën është cështje tjetër. Për shumë vendime Komisioni ishte njëzëri, edhe për lëndë me të cilat sot dikush lavdërohet se i ka fituar në Strazbur. Pse nuk parashtrohet pyetja për pastërtinë e tyre morale?”, pyet Dauti.

Vërejtje ka theksuar edhe Sefer Tahiri. Sipas tij, disa kompromise tjera të mëparshme na kanë sjellur deri te vendimet e përkohshme, siç është ad hoc Komisioni.

“Duke e përcjellë situatën në të cilën gjendet vendi, mënyrën se si raportojnë media, i vetëdijshëm se ad-hoc trupi nuk është zgjidhja ideale, prap se prap vendosa që me integritetin tim profesional dhe përvojën e gjatë në mediat elektronike (RTVM, Alsat-M, Radio Europa e Lirë dhe të tjera) të tentoj të jap kontribut që monitorimi i mediave para zgjedhjeve të jetë i paanshëm, gjegjësisht pa ndikime politike, sic ishte deri më tani monitorimi partiak i Agjencisë për media, përbërja e të cilës ishte prodhim i marrëveshjes në mes SHGM dhe pushtetit”, potencoi Tahiri, transmeton Portalb.

Ai kujtoi se pikërisht në kompromise politiko partiake janë rrënjët e vendimeve të përkohshme tani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu