Anëtarë të organizatës terroriste PKK kanë sulmuar me raketë aeroportin e Diyarbakır-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burime të sigurisë thuhet se një grup militantësh të PKK-së kanë hedhur një raketë në drejtim të godinave të aeroportit i cili gjendet në qytezën Bağlar të Diyarbakır-it.
Burimet thanë se si pasojë e këtij sulmi nuk ka pasur viktima apo të lënduar, ndërkohë ka pasur dëmtime të pjesshme në godinën e këtij aeroporti.
Pas kontrolleve rutine të policisë lokale fluturimet në këtë aeroport kanë rifilluar.
Nga ana tjetër policia ka njoftuar se ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorëve.
”Nuk bëhet fjalë për vonesa apo anulime fluturimesh”
Në një deklaratë me shkrim Prefektura e Diyarbakır-it ka thënë se sulmi ka ndodhur rreth orës 00:04, ku një grup terroristësh kanë sulmuar aeroportin nga rruga. Prefektura thotë se shënjestra e këtij sulmi ishte pika e kontrollit të policisë në të.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se si pasojë e sulmit kanë pësuar dëmtime xhamat e hyrjes VIP të këtij aeroporti dhe se për fat të mirë nuk ka pasur të lënduar.
”Në lidhje me ngjarjen ka nisur një operacion i gjerë për kapjen e autorit apo autorëve. Nuk bëhet fjalë për vonesa apo anulime të fluturimeve. Ne do të vazhdojmë të publikojmë detaje në lidhje me këtë ngjarje” thuhet më tej në deklaratën e Prefekturës së Diyarbakır-it.