Ministrat e BDI-së i shkojnë pas Gruevskit si ‘badigardë’

Për të disatën herë me radhë edhe dje gjatë rifillimit me punë të minierës në Zletovë, ministrat e BDI-së u panë duke i shkuar nga mbrapa ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili tanimë është vetëm kryetar partie i VMRO-DPMNE-së. Ministrat e BDI-së si ai i ekonomisë Driton Kuçi dhe ai i ambientit, Bashkim Ameti, jo vetëm që nuk ishin në linjë të parë përkrah kryeministrit Emil Dimitriev, por ata ecnin në fund të turmës dhe pas badigardëve të Gruevskit. Në pozicione të tilla si shoqërues të Gruevskit edhe pse ai nuk bart asnjë funksion qeveritar, zyrtarët e BDI-së janë parë edhe në raste të tjera. Këto pamje sipas analistëve politik flasin për gjunjëzimin e partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, para partnerit qeverisës, VMRO-DPMNE-së.

“Krejt akuza shkon te udhëheqja e partisë politike dhe është për të ardhur keq që partia shqiptare në pushtet, BDI faktikisht po dëshmon edhe në këtë mënyrë se shkon gjunjaz para VMRO-së”, deklaroi analisti politik, Xhabir Ahmeti.

Sipas Xhabir Ahmetit sjelljet e këtilla të ministrave shqiptarë dëshmojnë edhe një amaterizëm dhe mosnjohje të protokollit. Por përgjegjësia thotë ai nuk bie vetëm mbi ministrat, por më shumë mbi partinë e tyre.

“Puna e parë që duhet ta bëjë partia kur vjen në pushtet ose kur ka ambicje të forcohet si parti është puna e protokollit e cila edhe pse duket formale absolutisht nuk është e tillë. Kjo sjellje jashtë protokolare flet për një amaterizëm politik dhe ne shqiptarët jemi lodhur nga amatorizmi. Shpresojmë që në zgjedhjet e ardhshme do të ndryshojnë gjërat”, tha Ahmeti.

Analistët politik thonë se me paraqitjet e fundit dëshmohet se kreu i VMRO-DPMNE-së është defakto edhe më tej padroni kryesorë jo vetëm i Qeverisë, por edhe i ministrave shqiptarë të cilët e ndjekin atë nga mbrapa në çdo eveniment të Qeverisë./shenja


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu