Më 2 shtator, skadojnë të gjitha afatet për plotësimin e kushteve të parapara me “Marrëveshjen e Përzhinës 2”, që u arrit më 20 korrik të këtij viti, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, ndërkaq sipas marrëveshjes, nesër do të duhet të mbahet takimi i liderëve, të partive nënshkruese të marrëveshjes, shkruan Portalb.
Kryetari i VMRO – DPMNE-së – Nikolla Gruevski, LSDM-së – Zoran Zaev, BDI-së – Ali Ahmeti dhe PDSH-së – Menduh Thaçi, në këtë takim do të duhet ta konfirmojnë se a janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të prakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
Në këtë takim, Zaev, do të duhet ta tregojë emrin e kryeredaktorit/es, i/e cili në periudhën parazgjedhore do të jetë përgjegjës për programin informativ të RTVM-së. Nga partia opozitare, LSDM, thonë se kandidati tanimë është zgjedhur. Sipas burimeve të mediave maqedonase, Santa Argirova, do të jetë propozimi i LSDM-së për kryeredaktore të RTVM-së.
LSDM, më parë bëri thirrje për paraqitje të kandidatëve për trupin ad – hok për ndjekjen e mediave në periudhën parazgjedhore dhe për kryeredaktor të RTVM-së.
Deri më tani, është shkelur afati për kompletimin e trupi ad – hok për media, në të cilin mungon anëtari i pestë – shqiptar. Anëtarët e këtij trupi të propozuar nga VMRO – DPMNE dhe LSDM-së, deri më 24 gusht e patën afatin përfundimtar për ta zgjedhur anëtarin e pestë, por tanimë disa ditë nuk mund të merren vesh, andaj edhe sot është caktuar seancë për të diskutuar rreth kësaj çështje.
Sipas, deklaratave të përfaqësuesve të partive këtyre ditëve, ata presin që zgjedhje të ketë ashtu siç është planifikuar – më 11 dhjetor.
Më poshtë mund t’i shihni detyrimet e realizuara dhe të parealizuara të marrëveshjes së 20 korriku:
Nuk është realizuar:
- 19 gusht/24 gusht (afat i skaduar) – Formimi i trupit ad- hok për media;
- 31 gusht – Afat i fundit për takim liderësh;
- 2 shtator – Opozita emëron kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës në RTVM (nëse zgjedhjet mbahen më 11 dhjetor);
- 2 shtator – Suspendimi i ndryshimeve të Ligjit të MPB-së lidhur me kompetencat e ministrit (nëse zgjedhjet mbahen më 11 dhjetor).
Është realizuar:
- 23 korrik – Deputetët votuan ndryshimet e Kodit Zgjedhor;
- 25 korrik – KSHZ publikoi listën me 39.502 votues kontestues;
- 28 korrik – Deputetët votuan ndryshimet e ligjit për punë të brendshme, ligjin për audio dhe shërbime audiovizuale, shërbimet për procedim penal dhe ligjin e qeverisë.
- 18 gusht – Përfundoi paraqitja e votuesve kontestues në KSHZ.