Pas orëve të pafundme të kërkimeve nën rrënoja është gjetur sot viktima e gjashtë në ‘Hotel Roma’ në Amatrice, duke çuar në 293 bilancin e viktimave nga tërmeti 6.2 ballë që goditi më 24 gusht Italinë qendrore.
Mësohet se trupi ishte bllokuar mes rrënojave, 10 metër poshtë vendndodhjes së origjinës ku ishte vendosur më parë dhoma. Ndërkohë, që puna e forcave zjarrfikëse nuk është ndërprerë ende, pasi ata vijojnë kërkimet nëpër rrënoja.
Nga tërmeti i fuqishëm përveç viktimave, mes të cilëve ishte edhe emigranti shqiptar Erjon Toro, u plagosën qindra të tjerë.
Ndërkohë, zyrtarët kanë hapur një hetim, i cili do të fokusohet tek strukturat e ndryshme që u shembën pas tërmetit të fuqishëm të së mërkurës, që shkatërroi katër qytetet në zonën malore të pjesës qendrore të vendit.
Prokurorët publikë të zonës thonë se do të hetojnë jo vetëm për faktin përse ndërtesat e publike të ngritura kohët e fundit, përfshirë një shkollë të rinovuar në vitin 2012, nuk i rezistuan dot forcës goditëse të tërmetit, por ata po kërcënojnë gjithashtu se do të ngrenë akuza kundër disa pronarëve, të cilët mund t’u kenë bërë ndryshime konstruksionit të shtëpive të tyre të lashta, duke shkelur kodet e sotme të ndërtimit dhe ato anti-sizmike.