Nga një godinë e braktisur, ish kopshti i fëmijëve në lagjen Gazi Babë do të transformohet në një klinikë moderne për kurimin e fëmijëve. Për akses të shpejtë në shërbimet shëndetësore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve. Kështu e parashikon Strategjia për zhvillimin katërvjeçar të komunës së Çairit, si pjesë e Kontratës 2017-2021, që kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, ia ka prezantuar banorëve të zonës.
Ky objekt për një periudhë të gjatë kohe ka qenë jashtë çdo funksioni, edhe pse vite më parë planifikohej të punonte si kopsht fëmijësh për punonjësit e Furrnaltës në lagjen pranë, Zhelezarë. Në planet e ardhshme për zhvillimin e gjithanshëm të komunës rikonstruktimi i ambienteve të brendshme dhe adoptimi i të tërë kompleksit në një Qendër klinike pediatrie konsiderohet si një prej hapave kryesorë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe plotësimin e nevojave të banorëve.
“Sigurimi i një objekti për sferën e Shëndetësisë lehtëson qasjen e qytetarëve drejt shërbimeve shëndetësore, por njëherazi përmirëson edhe mirëqenien shëndetësore të tyre”,thuhet në përshkrimin që i bëhet këtij projekti në Kontratë. Fillimisht parashikohet rikonstruktimi i ambienteve, zgjerimi me hapësira të reja dhe adaptimi e pajisja e tyre sipas standardeve bashkëkohore të funksionimit të institucioneve në fushën e shëndetësisë. Për realizimin e këtij projekti do të duhet të shpenzohen mbi 112 milionë denarë.
Pozicionimi i vetë objektit në lagjen Gazi Babë, së bashku me ambientet e jashtme i japin të gjitha atributet e duhura për të qenë një klinikë pediatrie. Në paraqitjet grafike që ilustrojnë projektin mund të shihet edhe zgjidhjet e propozuara, të cilat janë të veshura me gjelbërimi, bar dhe drurë halorë. Ndërtimi i një qendre klinike është vetëm një prej projekteve që i kushtohen mirëqenies sociale të fëmijëve. Rikonstruktimi dhe ndërtimi i çerdheve dhe kopshteve, shkollave, krijimi i hapësirave dhe terreneve sportive janë disa prej prioriteteve të kandidatit Ganiu për përmirësimin e kushteve të jetesës gjatë katër viteve të ardhshme të fëmijëve dhe zhvillimin e zonës.