KOMENT/ Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët “ALL IN” në zgjedhjet lokale

Jo të gjitha partitë kanë marrë me të njejtin intenzitet Zgjedhjet lokale 2017. Përderisa disa parti kanë rikandiduar kandidatë të mëhershëm, parti të tjera kanë përdorur të gjithë arsenalin e tyre për të luftuar për komuna.
Bashkimi Demokratik për Integrim në shumicën e komunave ka vendosur të kandidojë kryetarët e deritanishëm të komunave apo kandidatë që ka pasur edhe më parë. Kështu, në komunat më të mëdha të vendit, duke filluar në Strugë ka kandiduar ish kryetarin e kësaj komune Ramiz Merkon, në Dibër, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë ka vendosur të kandidojë kryetarët e deritanishëm. Në komuna tjera ka vendosur të dalë me kandidatë të rinj, siç është komuna e Çairit, Haraçinës, Sarajit e Likovës , e për komuna të tjera, si Komuna e Kumanovës, qytetin e Shkupit etj, kanë vendosur të mos garojnë fare në garën për kryetar, pasi që është e qartë se nuk kanë gjasa fitimi, shkruan InfoShqip.com

Partia më e vjetër shqiptare aktive, Partia Demokrarike Shqiptare, e cila gjithnnjë e më shumë po zvoglohet sa i përket numrit të votuesve në zgjedhje, ka vendosur të dalë vetëm në disa komuna shqiptare, diku me shpresë të vogël për të fituar e diku vetëm sa për sy e faqe. Në komuna të vogla si ajo e Dollnenit, Tearcës, Zhelinës e Bogovinës ka zgjedhur kandidatë pothuajse të panjohur, e për komuna të mëdha dhe më të rëndësishme si ajo e Haraçinës, Kumanovës, e qytetin e Shkupit, edhe pse gjasat reale për të fituar janë mjaftë të vogla, ka vendosur të dalë me kandidatë sa për të pasur kandidatë. E vetmja komunë, ku PDSH ka një kandidatë të denjët është ajo e Çairit për të cilën do të garojë Idriz Orana, këshilltar i deritanishëm në qytetin e Shkupit. Pritjet reale për këtë parti janë mjaftë të vogla dhe gjasa që PDSH të udhëheqë ndonjë nga komunat pas 15 Tetorit janë minimale.

Njëra nga Aleanca për Shqiptarët, koalicioni i partive RDK dhe Uniteti, pas daljes së partisë Aleanca për Shqiptarët (LRPDSH-së) nga ky koalicion, kanë mbetur mjaftë të gjymtuar sa i përket kuadrove, meqë partia e Selës në tentim për të shëndrruar koalicinon Aleanca për Shqiptarët në parti, ka marrë me vete disa nga anëtarët e këtyre dy partive, duke përfshirë edhe vet nënkryetarin e Unitetit. Ky koalicion edhe pse ka vendosur të garojë në disa komuna, nuk pritet të sfidojë ndonjërën nga partitë e mëdha për të fituar ndonjë komunë.

E në këto zgjedhje ajo që bie në sy më së shumti është se Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës kanë përdorur të gjithë potecialin e tyre partiak dhe të gjithë kuadrot më të shquar të partive të tyre, për t’u munduar që me çdo kusht të marrin ndonjë komunë.

Për Aleancën për Shqiptarët vlen të theksohet komuna e Strugës, ku për kryetar komune do të garojë vet kryetari i kësaj partie, Ziadin Sela, ndërsa sekretari gjeneral, ministri i shëndetësisë dhe njëherë njëra nga figurat kryesore të kësaj partie, Arben Taravari do të garojë për komunën e Gostivarit. Edhe për komunat tjera, kjo parti ka përzgjedhur kuadrot e tyre më të mira në dispozicion.

Rast i njejtë është edhe me Lëvizjen Besa, e cila fokus të theksuar ka vënë në komunat e Tetovës dhe Çairit, ku ka nxjerrë dy figurat kryesore të kësaj partie. Për komunën e Tetovës ka vendosur të luftojë vet kryetari i partisë Bilall Kasami ndërsa për kryetar të komunës së Çairit do të garojë Zeqiria Ibrahimi, njëri nga themeluesit e partisë dhe një nga figurat kryesore të Besës.

Si Lëvizja Besa ashtu edhe Aleanca për Shqiptarët kanë lënë foltoret e kuvendit, gjegjësisht pozitën e deputetëve dhe ministrit, pra kanë lënë pozitat nga ku mund të luftohet për të drejtat dhe mirëqenien e shqiptatëve në nivel nacional, për të garuar për të përfaqusuar të shqiptarët në nivel lokal. Sipas disa analistëve politik hapi i tillë tregon se parti të cantuara janë të gatshme të sakrifikojnë interesat e popullit, me qëllim që partia e tyre të udhëheqë me ndonjë komunë dhe vet gatishmëria e tyre për të marrë një vendim të tillë tregon se në fund të fundit, këto parti prioritet kanë që të bëhen sa më të fuqishme si parti dhe se interesat e qytetarëve vijnë në rend të dytë.

Por një gjë që mund të thuhet është se për dallim nga partitë tjera shqiptare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët kanë hyrë “ALL IN” në këto zgjedhje, duke përdorur arsenalin më të mirë të tyre të mundshem. Se a do të perceptohet kjo nga qytetarët si vënie të interesave partiake para interesave të popullit, apo si ofrim të më të mirëve të tyre për nivel lokal mbetet të shihet më 15 Tetor. Por gjithashtu duhet përmendur fakti se në rast humbjeje atëherë pesha e këtyre figurave në partitë e tyre mund të kontestohet, por gjithsesi populli është ai që jep fjalën e fundit dhe vendos nëse do t’i dënojë apo shpërblejë për këtë “lojë të rrezikshme” të partive të lartëpërmendura./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu