Këto janë 4 familjet mafioze më të rrezikshme në Shqipëri

Gjatë dy ditëve të fundit në media po qarkullon lajmi se janë katër klane të forta mafioze që kontrollojnë rreth 20 familje kriminale në Shqipëri.

Nisur nga mënyra se si po trajtohet kjo çështje, ku askush nuk flet dhe nuk mban përgjegjësi për rritjen e kriminalitetit në vend si edhe raportin me kriminelët, Albeu.com e gjeti me vend që të bëjë publike katër familjet më të rrezikshme kriminale në vend.

Më poshte gjeni katër familjet më të rrezikshme

Janë dhënë vetëm emrat e parë, pasi edhe ne kemi frikë se na kërcënohet vendi i punës.

Fatmir M. nga Shkodra është kapobanda e familjes. Me lekët që i kishte sjellë djali në përfundim të sezonit të vjeljes së domateve në Italinë e Jugut, ai filloi ndërtimin e një dhome shtesë ngjitur me shtëpinë e tij pasi në vjesht do të kishin dasmë.

Ervisi, djali i Fatmirit do të martohej. Zbulimi i aktivitetit të tyre kriminal duket se u ka prishur planet kësaj familjeje mafioze të qytetit, të cilët kishin kapur prej fyti lejet e ndërtimit aty. Me shkatërrimin e këtij grupi kriminal pritet të marrë frymë qyteti dhe jeta t’i rikthehet normalitetit.

Emancipimi më i madh i shoqërisë në Tiranë duket se ndikon edhe në strukturimin e familjes super mafioze të Feruze S. nga fshatrat e kryeqytetit.

Ajo është kapur në flagrancë duke shitur disa fije qepë dhe tre tufa spinaq në bulevardin Zogu I. Aktiviteti i paligjshëm i kësaj familjeje ishte shtrirë edhe në tregun e domateve, kungullit duke e kthyer atë në monopol, ndërkohë që synonn të shtinin në dorë edhe tregun e patëllxhanit, por zbulimi i aktivitetit kriminal dhe arrestimi në kohë rekord ia ktheu situatën përmbys, ndërsa tani Feruzja duhet të zbulojë se ku i ka investuar shumat e konsiderueshme të parave të fituara nga shitja e spinaqit.

Ka dyshime të forta se paratë e fituara përmes këtij aktiviteti kriminal janë investuar në blerje plastmasi dhe farërash për sezonin e ardhshëm të spinaqit.

Familja super mafioze e Elbasanit udhëhiqet nga Besim K. Përveç se një kriminel i regjur në fushën e shitjes së barishteve të stinës në tregun e qytetit, ai kishtë shtrirë aktivitetin e tij edhe në sektorin e mos shlyerjes për qejf të pagesave të energjisë elektrike.

Ndryshe nga familjet mafioze të mësipërme, ajo e Besimit u zbulua më shpejt pasi i kishin dosjet gati për shkak edhe se kishin patur precedentë të mëparshëm.

Me t’u zbuluar Besimi sebashku me djalin e tij që kishte rezistuar gjatë arrestimit të të atit janë plasur në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.

E fundit, por jo më pak e rendësishme është familja mafioze e Astrit G. nga Lushnja. Ky mafioz i orëve të para të demokracisë në Shqipëri u kap teksa drejtonte një makinë Mercedes Benz të vitit 2002 në rrugën Fier-Lushnje.

I dyshuari Astrit nuk mundi të vërtetojë të ardhurat me të cilat kishte blerë makinën me faturat e shitjes së domateve duke detyruar autoritetet që të shoqëronin atë dhe makinën në komisariat për verifikime të hollësishme. Kanë kaluar dy javë dhe nuk ka ende informacion për këtë kriminel.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për grupe të tjera kriminale në të gjithë vendin në sektorë të shtesave pa leje, shitjes së qepujkave nëpër trotuare. Gjithashtu po punohet për krijimin e kushteve optimale të aktivitetit të ndershëm siç është trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike, pastrimi i parave, gjobvënia, përvetësimi i pronës publike, vrasjet me ose pa pagesë, etj. /albeu.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu