Kandidati për kreun e komunës së Çairit, Visar Ganiu, i shoqëruar nga bartësit e listës për këshillin e Çairit, Dr. Fikri Abdullai, Dr. Lulzime Hoxha, Mr. Zahir Bekteshi dhe bartësi i listës për këshillin e Qytetit të Shkupit, Besnik Ajeti, ka bërë prezantimin e radhës të Kontratës 2017-2021 për zhvillimin e Çairit gjatë katër viteve të ardhshme.
Takimi me banorët e zonës është zhvilluar në lagjen Kulla e Sahatit, në vendin ku edhe planifikohet të ndërtohet një prej katër garazheve në kate. Strategjia për zhvillimin e Çairit e hartuar prej tij, parashikon ndërtimin e garazhit në Sahat Kullë me një kapacitet për parkimin e 132 automjeteve.
Një tjetër garazh në kate parashikohet të ndërtohet tek Teatri Shqiptar, me kapacitet parkimi automjetesh që do të arrijë deri në 120 vende. Garazhi tjetër do të jetë në qendrën Çairçanja, me një kapacitet parkimi për 100 automjete. Ndërsa në sheshin Skënderbej, në fazën e tretë të punimeve, garazhi nëntokësor në kate do të ketë një kapacitet prej 380 automjetesh.
Kostoja e këtij megaprojekti parashikohet të jetë mbi një miliardë denarë dhe është një prej më të kushtueshmeve dhe prioritare në Strategjinë për zhvillimin e Çairit. Ganiu i ka siguruar banorët se nuk bëhet fjalë vetëm për premtime zgjedhore, por për projekte konkrete, të hartuara nga ekspertë dhe me kujdesin për të ndryshuar për mirë zonën dhe për të zgjidhur një prej problemeve me të cilat hasen, qarkullimin e lirë dhe komunikacionin e lehtësuar rrugor.
“Jam i bindur se do të arrijmë që për një kohë të shkurtër të zgjidhim problemet me të cilat hasemi çdo ditë, unë, ju dhe të gjithë që jetojmë në këtë zonë, por edhe ata që vijnë t’na vizitojnë, qoftë monumentet e bukura historike, si ky që kemi këtu pranë, por edhe Çarshinë, Teatrin, e të tjera, por edhe ata që thjesht vijnë për të bërë pazarin, apo treguat produktet e tyre. Se në fakt kjo zonë është pikërisht ajo që pa frikë mund ta quaj zemra e një qyteti, që pulson fuqishëm në çdo orë të ditës. Që është pika e orientimit dhe pikëtakimi për çdo shqiptar që vjen nga qytetet e tjera, apo edhe nga Shqipëria e Kosova. Kur flas për projekte, strategji, kontratë, nuk flas vetëm për letra, për premtime që ndoshta mund t’ju duken si të tilla kur jemi në prag të zgjedhjeve. Çairin e shoh si shtëpinë time,më saktë si shtëpinë tonë të madhe, për të cilën të gjithë duhet të kujdesemi dhe të zgjedhim më të mirën. Unë jam munduar që të zgjedh pikërisht projekte me të cilat jeta juaj do të bëhet praktike, komunikacioni i lehtësuar, trotuaret të çliruar nga makina, dhe mbi të gjitha jeta e fëmijëve e sigurt”, ka thënë Ganiu. Në fjalën e tij ai i ka ftuar banorët të nënshkruajnë Kontratën e të ardhmes.
“Nuk jam thjesht i sigurt se do ta realizojmë, por jam i bindur se e gjitha që shkruhet në të do të jetë një realitet i prekshëm për të gjithë ju. Unë një njeri si ju, që jetoj aty ku jetoni dhe ju, kam projektuar vizionin për komunën tonë, pasi bashkë ndajmë jo vetëm adresën e njëjtë – Çairin, por ëndrrat për një komunë ndryshe, të bukur, bashkëkohore, një komune që do të bëhet ashtu si e meriton të jetë, e denjë për të jetuar dhe mikpritëse për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e saj”, ka thënë Ganiu.