30.467 votuesit e kontestueshëm që mbetën jashtë listës së votuesve e kanë edhe një shans për të fituar të drejtën e votës. Zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani theksoi se ata mund të regjistrohen gjatë 15 ditëshit të parë pas shpalljes së zgjedhjeve, duke u paraqitur në zyrat rajonale të KSHZ.
“Nuk mund të themi në këtë moment se këto persona nuk do të kenë të drejtë vote, pasi që këto do të kenë edhe një mundësi që të paraqiten deri tek zyrat rajonale të KSHZ-së gjatë kohës së inspektimit publik të listës zgjedhore, kur edhe do të ju mundësohet që me plotësimin e kërkesës dhe parashtrimin e dokumentit përkatës si dëshmi, do të thotë letërnjoftimi valid ose pasaporta valide që edhe njëherë të regjistrohen në listën zgjedhore dhe të ju mundësohet edhe e drejta zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, theksoi ai.
Dje pasdite skadoi afati 10-ditor gjatë të cilit anëtarët e KSHZ mund ta parashtronin ankesë në lidhje me pastrimin e listës zgjedhore. Rregullat parashihnin që së paku tre anëtarë të parashtronin ankesë për kontrolle shtesë, e më pas ajo të shqyrtohej nga KSHZ-ja. Mirëpo, meqë asnjë nga anëtarët nuk parashtroi ankesë, KSHZ vendosi që lista zgjedhore e publikuar më 23 gusht 2016 është finalizuese. Nga gjithsej 39.502 votues të kontestueshëm, vetëm 8.922 verifikuan të drejtën e tyre të votës.
“Deri tek Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u paraqitën 8.922 persona, prej të cilëve 21 fletëparaqitje nuk u pranuan për arsye të ndryshme, dokumentacion të pakompletuar, i skaduar ose dokumente ku nuk janë përputhur të dhënat në listën zgjedhore. Gjithashtu KSHZ nga ky numër 39.502 personave bëri edhe kontrolle shtesë duke pasur parasysh edhe shkresën që erdhi nga drejtoria për udhëheqje të librave amë ku konstatuam se nga ky kontingjent të personave prej 39.502 personave, 20 prej tyre është konstatuar se janë të vdekur”, thotë ai.
Nga KSHZ bëjnë thirrje që të gjitha ata persona që rrezikojnë të shlyhen nga lista e votuesve, duhet të shfrytëzojnë mundësinë për tu regjistruar në afatin e ardhshëm dhe se për këtë duhet të posedojnë vetëm një dokument personal valid./tv21