Visar Ganiu tuboi gjithë Çairin tek Sheshi Skenderbeu

Mijëra aktivistë, simpatizantë dhe anëtarë kanë marshuar të hënën në sheshin Skënderbeu në Shkup, në tubimin e organizuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Dega e Çairit, ku edhe njëherë janë prezantuar kandidatët për kryetar të komunave, si edhe këshilltarët komunalë dhe ata të listës për Qytetin e Shkupit. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në tubimin përmbyllës i ka dhënë mbështetje të parezervë kandidatit të BDI-së për kryetar të komunës së Çairit, Visar Ganiut, pasi fitorja e tij nënkupton fitore për të gjithë Çairin.

“Më 15 Tetor i pari i Shkupit të vjetër do jetë Visar Ganiu, me fitoren e Visarit fiton i gjithë Shkupi i vjetër, fitojnë edhe ata që nuk do të votojnë për Visarin” – ka thënë Ahmeti. Lideri i BDI duke folur për koalicionin me LSDM-në ka thënë se ajo është pjesë e marrëveshjeve të hapura të partneritetit dhe konsiston në ndihmën ndaj njëri-tjetrit nëpër ato njësi ku njëra parti nuk ka gjasa të fitojë. Ai ka porositur që ky bashkëpunim duhet të respektohet, sepse është vullnet i mirë i të dyja palëve. Ahmeti po ashtu ka folur edhe për punën e Qeverisë dhe përpjekjet e bëra për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore. Duke iu referuar reformave që duhet të ndërmerren për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, Ahmeti tha se për çështje të mëdha duhen burrështetas të mëdhenj, të cilët kjo qeveri reformatore i ka pjesë të saj.

Në tubim ka folur edhe kandidati për kreun e Çairit, Visar Ganiu. Ai ka sjellë në vëmendje se është i bindur për fitoren që në momentin kur dha dorëheqje nga posti i zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, dhe jo si rivalët e tij politikë të cilët i kanë ruajtur postet e tyre si pozicione rezervë.

“Çairasit meritojnë një kryetar komune që do t’i përkushtohet problemeve të tyre të përditshme. Do të bëj çdo gjë që të realizoj Kontratën time me bashkëqytetarët. E dimë se çfarë i duhet Çairit dhe të gjitha këto i kemi shkrirë në një program të mirëmenduar dhe me parametra financiarë”, tha Ganiu, duke u zotuar se do të bëjë çmos që programin e hedhur në letër ta kthejë sa më parë në vepër.

Në tubim kanë folur edhe Lulzime Hoxha e Besnik Ajeti, kandidatë për këshilltarë për Çairin dhe Qytetin e Shkupit, të cilët premtuan se do të angazhohen në maksimum për të realizuar programet që janë në interes të shqiptarët dhe të të gjithë qytetarëve.

Për Shefin e Shtabit të BDI-së për komunën e Çairit, Bujar Osmani, prezenca e mijëra personave në këtë tubim është një ogur i mirë, që dëshmon se BDI është e bashkuar si asnjëherë më parë për të siguruar një fitore të madhe për Çairin me Visar Ganiun kryetar.

“Jam thellësisht i bindur se kjo energji e re, kjo fuqi politike në rritje duhet të ketë mundësinë të dëshmohet se di dhe ka kapacitet për të krijuar një komunë më të mirë për të gjithë ne. E kemi programin më të mirë që ndonjëherë është përgatitur për ndonjë komunë, kemi energji dhe ekip të mirë i cili do t’i përkushtohet këtij programi”, tha Osmani. Ai po ashtu ka apeluar që të punohet me intensitet deri të dielën me qëllim që të sigurohet fitore bindëse për Çarin, Visar Ganiun dhe listën e këshilltarëve. Në tubim ka folur edhe zëvendëskryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe për Sistemin Politik, Hazbi Lika, i cili ndër të tjera tha se pavarësisht sfidave BDI ka potencial për të dalë fitimtar edhe në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu