Në strategjinë për zhvillimin katërvjeçar të Çairit, kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, Visar Ganiu, parashikon rindërtimin dhe vënien në funksion të pishinës në lagjen Fushë Topanë të komunës Çair.
Në shtyllën e dytë të Kontratës, tek Sport dhe Rekreacioni, po ashtu prezantohet projekti rikonstruktues për këtë pishinë, e ndërtuar disa vite më parë, por që asnjëherë nuk ka qenë në funksion.
Sipas projektit kjo pishinë do të funksionojë si një qendër multifunksionale, me pishinë, por edhe me një terren të hapur sportiv, që do t’i shtohet për të plotësuar nevojat e banorëve për sport dhe rekreacion.
Projekti parashikon realizimin e punimeve sipas të gjitha standardeve bashkëkohore dhe mbi të gjitha do të ofrojnë sport dhe rekreim në çdo stinë, duke ndikuar kështu përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies fizike të banorëve. Kostoja e qendrës multifunksionale në Fushë Topanë, së bashku me ndërtimin e një tjetër qendre multifunksionale në Gazi Babë – Karadak përllogaritet të kapë një shumë mbi 34 milionë denarë, ose 5 për qind të investimeve të përgjithshme në Sport dhe rekreacion .
“Ekzistimi i qendrave dhe hapësirave të përbashkëta, në të cilat banorët e një bashkësie mund të kalojnë kohën e lirë duke vëzhguar ose duke marrë pjesë në aktivitetet sportive kontribuon në kohabitacionin më të suksesshëm të qytetarëve në komunë”, thuhet në Kontratën 2017-2021.