Visar Ganiu, një kandidaturë që bën diferencën (FOTO)

Kur gati një muaj më parë Bashkimi Demokratik për Integrim shpalli kandidaturën për kreun e komunës së Çairit me të drejtë u krijua përshtypja se kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve kanë ndryshuar, ose të paktën për komunën e Çairit vlejnë rregulla të reja. Visar Ganiu kishte shumë pak kohë që ishte prezantuar si zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës dhe në qoftë se nuk do të ishte ky post për Ganiun mund të thuhet se në garën për zgjedhjet lokale të 15 tetorit hyri pa asnjë lloj bekgraundi, apo me duar në xhepa. Por nuk do të kalonte shumë kohë dhe befasitë do të ndiqnin njëra-tjetrën. Shpallja e kandidaturës së tij u shoqërua me dorëheqje nga posti i zëvendësministrit, veprim ky për të cilin s’pati asnjë lloj hezitimi, siç ndodhi me shumë kandidatë të tjerë që ende nuk kanë hequr dorë nga postet e tyre.

Fushata e tij filloi e koordinuar në mënyrë perfekte dhe në stilin – “Gjithçka do ta ndajmë bashkë”. Takime me elektoratin, prezantimi i tij me familjen…, dhe mbi të gjitha paraqitja e Kontratës, dokumentit, ose strategjisë katërvjeçare për zhvillimin e Çairit. Ajo që të bën përshtypje është se pavarësisht oponencave politike dhe akuza që lëshoheshin direkt ose indirekt ndaj tij, vëmendja e Ganiut u përqendrua kryesisht tek fushata dhe prezantimi i disa prej projekteve më të rëndësishme nga Kontrata 2017-2021. Që në fakt përbën Strategjinë për zhvillimin e Çairit dhe mishëron ndërmarrjen afatgjatë më serioze dhe gjithëpërfshirëse për këtë zonë. Mund të quhet ndryshe edhe Megaprojekt i hartuar prej tij dhe i bazuar në gjithsej 11 shtylla kryesore : Efikasiteti energjetik, Sport dhe rekreacion, Arsimi, Çerdhet, Shkollat e mesme, Garazh me kate, Shëndetësi, Qendër rinore, Infrastrukturë, Çarshia e Vjetër, Investime kapitale. Të gjitha këto pika elaborohen prej tij, jo vetëm thjesht si ide, por si projekte të analizuara dhe të studiuara mirë, me hollësi të detajuara deri në kostot financiare, fotografi, shpjegimet adekuate sesi dhe pse dhe kur duhet të realizohen.

Gjatë këtyre tre javëve Visari realizoi një sërë aktivitetesh, pres konferenca, e të tjera. Si më të rëndësishmet nga prezantimet e tij publike mund të veçohen projekti për ndërtimin e Klinikës për Fëmijë në Gazi Babë, ndërtimi i garazheve në kate, projektet për rikonstruktimin e çerdheve dhe kopshteve, shkollave, e shumë të tjera. Gjatë kësaj periudhe Visarin e pamë të angazhuar edhe në aktivitete të tjera, në Ditën kundër kancerit të gjirit, në Ditën ndërkombëtare të kujdesit për të moshuarit, në Ditën ndërkombëtare të mësuesit, e të tjera. Dhe jo më kot. Takimet e tij me zgjedhësit kanë pasur si qëllim jo “kërkimin e votës derë më derë”, por prezantimin e tij dhe të programit dhe mbi të gjitha për të marrë sugjerimet, ankesat dhe kërkesat e qytetarëve.

Kontratës së tij, tani në ditët e fundit të fushatës i është shtuar edhe një aneks me iniciativa që do të duhet të realizohen, si ndërmarrja për pastrimin e rrugëve, zyra për promovimin e barazisë gjinore, kompletimi me artikuj shkollore për fëmijët e varfër, e të tjera. Ajo që u pa nga kjo fushatë, me gjithë mangësitë që janë të pashmangshme, dhe rezultatin final që do të duhet edhe pak ditë ta shohim, ishte se kandidatura e Visar Ganiu solli freski dhe një model të ri në mënyrën e kandidimit. Se të dëshirosh dhe të besosh se do bëhesh kreu i një komune janë të mjaftueshme angazhimi maksimal, përpilimi i një megaprojekti serioz, takimet dhe bisedat me banorë dhe jo pozime për “foto viti”, apo “foto dite”. Edhe në rrjet sociale komentimet jo vetëm nga simpatizantët dhe bashkëpartiakët, të cilët janë të bindur se do fitojë garën dhe i urojnë “suksese gjatë këtyre katër viteve”, por edhe nga ato që e njohin më pak dhe mendojnë se “E meriton fitoren”. Madje mbështetësit e tij vijnë nga orientime të tjera politike, të cilët në formë direkte apo edhe indirekte mbështesin njeriun e mirë dhe kandidatin e duhur madje edhe kur për partinë të cilës ai i takon shprehen me rezerva.

Visar Ganiu, i cili tregoi gjithashtu se akuzat janë arma e të dobëtit, se edhe pa to mund të bëhet fushatë, shpërfaqi një model të ri politikani dhe politikbërje. Ky është vetëm fillimi, por ndonjëherë fillimi i mirë është gjysma e rrugës. Në qoftë se më 15 Tetor do t’i japin votën nuk është e vështirë të besohet se me angazhimin e njëjtë të tij banorët e Çairit, do të projektojnë një të ardhme ndryshe. Visar Ganiu arriti të bëjë diferencën me të tjerët. Tani është në dorën e votuesit të bëjë diferencën me komunat e tjera pas katër vitesh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu