Me shkarkimin e kuadrit të VMRO-DPMNE-së (të përkrahur dy herë nga BDI), Mitko Çavkov nga posti i Ministrit të brendshëm, së shpejti pritet që prapa grilave të gjenden “viktimat” e para të Prokurorisë Speciale publike (PSP), njoftojnë për Gazetën Lajm burime diplomatike në Shkup.
Ata vlerësojnë se Çavkov ka mbrojtur kuadrot e VMRO-së dhe BDI-së nga përndjekja e PSP-së, duke pamundësuar arrestimin e tyre, por edhe duke bë opstrukcione ndaj zhvillimit të hetimeve.
“Me kthimin e ministrit të LSDM-së, Specialja do të ketë duar më të lira për të zhvilluar hetimet, sepse do të ngushtohet rrethi i pushtetit për të bë opstrukcione ndaj punës së tyre”, thonë këto burime, duke dashur të mbeten anonime.
Çavkov do të shkarkohet nga posti të premten (nesër), kur sipas marrëveshjes mes katër partive politike, posti i Ministrit të brendshëm do t’i takojë LSDM-së, bashkë me postin e ministrit për punë dhe politikë sociale. Mediumet kanë informuar se sipas të gjitha gjasave Oliver Spasovski do të jetë sërish ministër i brendshëm nga radhët e LSDM-së, mirëpo vetë Spasovski ka deklaruar se emrat e ministrave të rinj kjo parti do t’i caktojë sonte në mbrëmje.