Pak orë pas shpalljes së rezultateve preliminare partiake dhe nga KSHZ për zgjedhjet lokale, Lëvizja BESA ka dalur e para tani duke i shtrirë dorën e bashkëpunimit dhe përkrahjes në raundin e dytë në komunat ku dy partitë shkojnë në raundin e dytë.
I pari që ka shprehur përkrahje në raundin e dytë ka qenë kandidati i Lëvizjes BESA në Dibër, Xhemal Çupi, i cili ka thënë se përkrahë kandidatin e Aleancës për Shqiptarët.
Por pas kësaj kanë folur edhe krerët e kësaj partie.
Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi, ka deklaruar për Televizionin SHENJA se ata me Aleancën për Shqiptarët e kanë lënë të hapur mundësinë që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin kandidatët e njëri-tjetrit në rrethin e dytë të zgjedhjeve.
“Kjo nuk është marrëveshje përfundimtare por një bazë e mirë për të bashkëpunuar. Edhe gjatë debateve televizive ne i kemi premtuar njëri-tjetrit se do ta mbështesim njëri-tjetrin përballë kandidatit të BDI-së”. ka thënë Ibrahimi.
Por nga ana tjetër, nga Aleanca për Shqiptarët janë shprehur të rezervuar, duke theksuar se për gjithçka vendosin strukturat partiake.
Elmi Aziri nga “Aleanca për shqiptarët”, në një deklaratë për TV SHENJA,, tha se organet e partisë në ditët në vijim do të mblidhen dhe mbi bazën e rezultateve do të marrin vendim se në çfarë koalicioni do të shkojnë në raundin e dytë.
Ai nuk e përjashtoj mundësin e bashkëpunimit me Lëvizjen BESA, me të cilën tha se kanë pasur bisedime për koalicionim që në raundin e parë.
“Pa diskutim se me BESËN kemi zhvilluar bisedime edhe para se me u fut në zgjedhje, edhe ky opsion është i hapur, por organe te partisë do të marrin ndonjë vendim meritor. Konsideroj se në disa komuna ne do të jemi në garë në raundin e dytë me BDI-në. Komunat që kanë mbetur të hapura nuk jemi në garë me BESËN por me BDI-në, rrjedhimisht më shumë na nevojitet trupi votues i BESËS për ti fituar komunat në të cilat jemi në raundin e dytë”, tha Elmi Aziri, nga “Aleanca për shqiptarët”.