BDI shënoi një rezultat pozitiv mbrëmë në zgjedhje të paktën sa i përket raundit të parë, por duket se gara sapo ka filluar në pjesën më të madhe të komunave, të cilat kanë kaluar në raundin e dytë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Albeu.com, BDI është e para në komunën shumë të rendësishme të Çairit me 11 413 vota kundrejt 9 842 votave të Besa-s, por i gjithë rezultati duket se varet pikërisht nga votuesit e Aleancës për Shqiptarët, e cila ka 2 246 vota.
Vlen të theksohet fakti se një faktor tepër i rendësishëm në zonë është VMRO-ja, e cila edhe pse nuk ishte organizuar ka arritur të sigurojë 3 183 vota duke u renditur parti e tretë.
Nëse do të duhet të fitojë këtë komunë, BDI-së i duhet medoemos të bëjë koalicion me një parti shqiptare dhe alternativa më e natyrshme është Aleanca për Shqiptarët, shkruan Albeu.com.
Megjithatë, nëse do të ketë një marrëveshje midis tyre ajo do të jetë në tërësi për komunat ku Aleanca për Shqiptarët mund t’i kërkojë “koncensione” në komunën e Strugës në mënyrë që të dalë fitues Zijadin Sela apo edhe në komunën e Gostivarit, ku Taravari dhe Bejta janë shumë pranë njëra-tjetrës.
Sa i përket Tetovës, Teuta Arifit i duhen medoemoes votat e Aleancës për Shqiptarët në mënyrë që të dalë fituese, pasi në të kundërt fitorja në raundin e parë nuk i vlen fare nëse Ahmeti dhe Sela nuk bien dakord bashkë.
Pjesë e marrëveshjes së tyre do të jetë edhe Dibra ku në raundin e dytë do të përballen bashkë. BDI duket para me rreth 1 900 vota ndaj kandidatit të Aleancës për Shqiptarët, por mjafton që ASH të marrë mbështetjen e Besës dhe rezultati është i mbyllur.
Në Likovë, Erkan Arifi nuk mundi të fitojë komunën që në raundin e parë vetëm për 75 vota. Këtu rezultati duket thuajse i mbyllur, por një “dorë” nga Aleanca për Shqiptarët do t’i siguronin fitoren në tavolinë BDI-së në këtë komunë, shkruan Albeu.com.
Komuna e Sarajit mund të ishte një shtysë tjetër për bashkëpunim mes BDI-së dhe ASH-së, ku Blerim Bexhetit të BDI-së i duhen fare pak vota për të dalë fitues.
Ndërkohë, ndryshe nga raporti BDI-ASH, Besa mund të kërkojë mbështetjen e Selës në Çair dhe Tetovë duke i siguruar mbështetje në të gjitha komunat e tjera ku partia e Ali Ahmetit është në përballje me Aleancën për Shqiptarët. /albeu