Bashkëpunimi në mes Besës dhe Aleancës për Shqiptarët u siguron fitore të dy partive (VIDEO)

Rezultatet preliminare nga KSHZ thonë se janë gjithsej 14 komuna ku në rreth të dytë garojnë partitë shqiptare. Në 11 prej tyre, kandidatët e BESËS dhe Aleancës do të përballen me oponentë nga BDI. Në Çair, Tetovë, Zhelinë, Tearcë, Saraj dhe Likovë, në rreth të dytë garojnë BESA dhe BDI. Nga ana tjetër, kandidatët e Aleancës për Shqiptarët nga Gostivari, Struga, Dibra, Vrapçishti dhe Bogovina përballë do të kenë kundërkandidatët nga BDI. Në shumicën e këtyre komunave, bashkëpunimi mes Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët do t’u siguronte atyre një fitore komode kundrejt kandidatëve të BDI-së.

Në Komunën e Çairit, kandidati i BDI-së në rreth të parë ka një epërsi prej 1653 votave, ndërsa Aleanca për Shqiptarët në këtë komunë fitoi 2307 vota. Duke u bazuar te rezultatet preliminare të KSHZ-së, përmbysja e rezultatit nëpërmjet një bashkëpunimi eventual, do të ishte më se i sigurt.
E njëjta përsëritet në Zhelinë, ku BDI ka një epërsi ndaj BESËS prej vetëm 30 votave. Kjo epërsi simbolike mund lehtë të tejkalohet me përkrahjen e Reshat Aliit nga Aleanca për Shqiptarët, që në këtë komunë mori 668 vota.
Situata e ngjashme vlen edhe për Gostivarin, me atë se në këtë rast, në vend të BESËS, BDI do të ketë përballë kandidatin e Aleancës për Shqiptarët. Nevzat Bejta ka 495 vota më shumë se Arben Taravari, ndërsa kandidati i BESËS ka 3104 vota.
Në Dibër, BDI në rrethin e parë ka një epërsi prej 822 votave, epërsi e cila mund të përmbyset në rreth të dytë me një bashkëpunim me BESËN, e cila në këtë komunë mori 1271 vota.

Në betejën për të parin e Strugës, Aleanca për Shqiptarët është në epërsi që në rrethin e parë, epërsi e cila mund të konsolidohet edhe më tej me një përkrahje nga BESA. Mirëpo, në këtë komunë një kontingjent të rëndësishëm të votuesve ka LSDM. Nga ana tjetër, në disa komuna numër të konsiderueshëm të votave ka edhe PDSH, të cilat do të mund të ndikonin në rezultatin përfundimtar.
Në këtë analizë të bashkëpunimit të mundshëm mes BESËS dhe Aleancës për Shqiptarët kryesisht janë krahasuar votat shqiptare. Përjashtim nga ky rregull është Studeniçani, ku BESA do të përballet me PDSH-në, ndërsa në Dollnen dhe Bërvenicë kandidatët shqiptarë do të përballen me kundërshtarë nga partitë maqedonase. Abdulla Berisha /SHENJA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu