Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të Komunës së Dibrës, Arben Agolli, ka kaluar rrethin e parë dhe tani do të përballet në balotazh me kandidatin e BDI-së, Ruzhdi Lata. Në një deklaratë për Portalb.mk, ai e ka komentuar procesin zgjedhor të zgjedhjeve komunale që u mbajtën të dielëm më 15 tetor dhe tha se është i kënaqur nga rezultati, ndërkaq pret që në rrethin e dytë të ketë bashkëpunim me partitë opozitare shqiptare, njofton Portalb.mk.
“Relativisht jam i kënaqur me rezultatin, procesi zgjedhor ka kaluar qetë me një incident të vogël, i cili nuk la ndonjë pasojë. Në rrethin e dytë shpresojmë që të bashkëpunojmë me partitë opozitare shqiptare”, tha Agolli për Portalb.mk.
Dibranët, kryetarin e ri të komunës do ta zgjedhin në rrethin e dytë, që do të mbahet më 29 tetor.
Sipas shtabeve zgjedhore të kandidatëve në rrethin e dytë shkojnë kandidatët e BDI-së, Ruzhdi Lata, i cili në këtë funksion ka qenë edhe katër vitet e kaluara dhe Arben Agolli, pediatër, kandidati i Aleancës për Shqiptarët.
Lata ka fituar 3.414 vota, ndërsa Agolli 2.583 vota. Në garë për kryetar të Dibrës ishin gjashtë kandidatë.
Në listën e vetme zgjedhore për këtë komunë janë regjistruar 18.406 qytetarë, ndërsa sot të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 8.390 ose 45,5 për qind e tyre.