Maqedoni: Betejë e ashpër për balotazhin e zgjedhjeve lokale

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ka refuzuar të gjitha ankesat e dorëzuara për raundin e parë nga zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën (15.10).

“Janë refuzuar të gjitha ankimimet. Deri te KSHZ-ja janë dorëzuar 46 ankimime, prej të cilëve 43 i ka dorëzuar VMRO-DPMNE, një ankesë u dorëzua nga TMRO, një nga Aleanca për Shqiptarët dhe E Majta. Kundër vendimit të KSHZ-së mund të dorëzohet padi deri në Gjykatën Administrative. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor”, deklaroi zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska. Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, në balotazh LSDM shkon me 19 kanditatë, po ashtu edhe VMRO-DPMNE me 19 kandidatë, BDI me 12, Aleaca për shqiptarët me 5, BESA me 7 dhe PDSH me një kandidat.

Koalicionet për balotazh

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kanë bërë marrëveshje për koalicion, që nënkupton mbështetjen e kandidatëve të njëra-tjetrës në raundin e dytë zgjedhor më 29 tetor, kur dhe do të bëhet e ditur se kush do të drejtojë komunat me shumicë shqiptare, siç janë dy komunat e Shkupit, Saraji, Çairi dhe komunat e tjera si Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Likova e të tjera. Nga Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa thonë se koalicioni ka për qëllim që të fuqizojë votën shqiptare, duke qenë se shqiptarët janë ata që do të përcaktojnë se kush do t’i drejtojë komunat.
“Për pesëmbëdhjetë vite me radhë, Bashkimi Demokratik për Integrim ka pushtet absolut, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal, në të gjitha komunat me shumicë shqiptare përpos asaj në Strugë, dhe konsideroj se përgjegjësia kryesore për këtë keqmenaxhim, për këtë stanjacion zhvillimi i takon BDI-së dhe s`ka sesi ne të mos jemi opozitë e këtij keqmenaxhimi të pushtetit nga BDI”, deklaron Elmi Aziri, shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët.
Mazedonien Kommunalwahlen Sieg der Regierungspartei SDSM (Reuters/O. Teofilovski)
Afrim Gashi nga Lëvizja Besa thotë, se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të jetë një test për një koalicion mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa edhe në zgjedhjet ardhshme parlamentare. “Shpresoj që kjo frymë që tash po ndërtohet të jetë frytdhënëse dhe në të ardhmen të jetë një koalicion për të ardhmen. Është një test për ne dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të sjellë ndryshime”, theksoi Gashi.

BDI: Do ta ruajmë epërsinë nga raundi i parë

Në bazë të rezultateve zgjedhore në raundin e parë, Bashkimi Demokratik për Integrim, kryeson në shumicën e komunave me shumicë shqiptare, megjithëse nëse mblidhen votat që ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa, bashkërisht këto dy parti dalin para BDI-së.
Bashkimi Demokratik për Integrim, në balotazh do të përballet me Lëvizjen Besa në 7 komuna dhe me Aleancën për Shqiptarët në 5 komuna të tjera. Pas publikimit të koalicionit midis Aleancës dhe Besës për raundin e dytë, nga BDI kanë theksuar se ata do të vazhdojnë koalicionin e tyre me socialdemokratët e kryeministrit Zoran Zaev. Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së, Arbër Ademi thotë se kandidatët e BDI-së në shumicën e komunave që janë në balotazh kanë dalë të parët, duke shprehur bindjen se qytetarët këtë vullnet do ta shprehin edhe në raundin e dytë zgjedhor më 29 tetor.
“Me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë kemi një marrëveshje paraprake për mbështetje reciproke që para raundit të parë dhe besojmë se ajo marrëveshje do të reflektojë edhe në raundin e dytë sepse besojmë se ajo marrëveshje është në të mirë dhe interes të qytetarëve”, shprehet Ademi.

Musliu: Koalicione numrash

Njohësit e çështjeve politike thonë se koalicionet janë demokratike pavarësisht mënyrës së arritjes së tyre, në veçanti tek shqiptarët të cilët në vazhdimësi kanë kërkuar unifikim të opozitës shqiptare. Duke e pasur parasysh se nga ana tjetër kemi bashkëpunim parazgjedhor të BDI-së dhe LSDM-së, bashkëpunimi mes Aleancës dhe Besës është i nevojshëm për të dy subjektet, thotë analisti Albert Musliu.

“Demokracia është edhe lojë numrash dhe ndonjëherë bie nevoja për bashkëpunim, ashtu siç ka ndodhur me Aleancën dhe Besën. Mendoj se nuk është asgjë jonormale, ata janë në gara politike dhe në këto gara u nevojiten numrat. I kanë bërë ata llogaritë e tyre dhe kanë konkluduar se u duhen numrat për të vazhduar në rundin e dytë, sepse ata në çdo komunë ku ka balotazh, e kanë BDI-në konkurrent. Nga ana tjetër BDI dhe LSDM kishin koalicion parazgjedhor, i cili sulmoheshe, por i njëjti ishte koalicion numrash”, vlerëson Albert Musliu.
Zyberi: Bashkëpunim në balotazh e jo koalicione

Analisti Naser Zyberi thotë, se koalicioni mes Aleancës dhe Besës mund të ishte bërë që para zgjedhjeve parlamentare që do të kishte efekt edhe më të madh. Koalicioni i tanishëm ka rëndësi edhe për krerët e dy partive që janë gjithashtu edhe kandidat për kryetar të komunave, pasi si i tillë mund të vendosë edhe për të ardhmen e tyre. Koalicioni i opozitës për rrethin e dytë në zgjedhjet lokale nuk është koalicion por vetëm bashkëpunim në balotazh dhe llogaritje e partive opozitare për sukses më të mirë në rrethin zgjedhor.

“Rezultatet që i morën në rrethin e parë zgjedhor i bindën ata se pa një bashkëpunim mes vete, nuk mund të jenë konkurrent me BDI-në. Ky bashkëpunim është i motivuar sidomos nga fakti që dy kryetarët e partive janë në balotazh dhe me pikëpyetje të madhe se si do të përfundoj raundi i dytë zgjedhor. Ky është një motiv plotësues që këto dy parti politike të ulen dhe të bashkëpunojnë “, thotë Naser Ziberi, analist politik.

Analistët
vlerësojnë se bashkëpunimet mes partive duhet të ndërtohen për një afat sa më të gjatë kohor bazuar në programet e tyre për të dëshmuar, se nuk janë bërë për interesa personale, por të votuesve që përfaqësojnë./DW


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu