Kandidati i Lëvizjes Besa për kryetarë të Komunës së Çairit Zeqirija Ibrahimi, ka pohuar se Qeveria e Maqedonisë, përfshirë këtu edhe Ministrat dhe Kryeministrin Zoran Zaev, dhe i gjithë arsenali i LSDM janë duke bërë fushatë për Visar Ganiun, kjo se kjo është një betejë mes shqiptarëve të Çairit të cilët përkrahin Besën dhe gjithë të tjerët, njofton Medial.
“Së pari duhet të thuhet se ndeshja e 29 tetorit, nuk është ndeshje vetëm mes Visar Ganiut dhe Zeqirija Ibrahimit, por garë mes pushtetit dhe gjitha forcave tjera në Maqedoni e veçanarishtë në Çair. Tanimë është shumë e qartë se fushatën e Visar Ganiut nuk është duke e realizuar BDI por LSDM. Prandaj ne konsiderojmë se në raundin e dytë nuk jemi në garë me Visar Ganiun, por me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë. Pra ata nuk po respektojnë vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Çairit, por po imponojnë një kryetarë kukull në Komunën e Çairit”, tha për medial.mk kandidati i Lëvizjes Besa në Komunën e Çairit Zeqirija Ibrahimi.