Gazetari dhe analisti nga Shkupi, Shkëlzen Lushaj, që jeton në Zvicër në një status në rrjetet sociale e vlerëson dhe mbështet kandidaturën e Visar Ganiut për postin e kryetarit të komunës Çair. Ai e ka cilësuar fushatën e tij se shkon përtej klisheve partiake, me një gjuhë afirmative, ofertë përmbajtësore dhe përfshirje të të gjitha grupeve sociale. Visari, shkruan Lushaj, ka krijuar në pak muaj përfshirje në politikë, një identitet dhe vlerë politikani që qëndron mbi partinë, siç do të duhej të ishte gjenerata e re e politikanëve që mëton të drejtojë sidomos institucionet lokale. Sipas gazetarit Lushaj, Visar Ganiu është njeriu më i përshtatshëm dhe çdo përzgjedhje tjetër për Çairin do të ishte një kthim prapa i pamerituar, në të gjitha kuptimet.
Ja postimi i tij i plotë:
Visari, një vlerë “mbipartiake” që mund të integrojë Çairin nga brenda dhe jashtë
Visar Ganiu që po garon nën siglën e BDI-së në Çair, po fakton prej disa javësh në fushatën e tij, se është një kandidat mbipartiak dhe se mund të jetë në të ardhmen kryetar konsensual, në kuptimin etnik, politik, kulturor dhe social.
Ndryshe nga kandidatët e tjerë në përgjithësi, dhe të BDI-së në veçanti, Visari po zhvillon një fushatë përtej klisheve partiake, me një gjuhë afirmative, ofertë përmbajtësore dhe përfshirje të të gjitha grupeve sociale – predispozita që premtojnë një qeverisje cilësore qytetare dhe gjithëpërfshirëse.
Mjafton të shihen qindra skena të komunikimit me qytetarët, jo me megalomaninë partiake që kandidatët në kohë zgjedhjesh përpiqen ta fshehin, por me modestinë personale dhe edukatën e lartë, për t’u bindur që kryetari i ardhshëm i Çairit do të jetë para së gjithash kryetar i përgjegjshëm dhe me këmbë në tokë, i cili do të ketë prioritet, jo partinë, por qytetarin dhe nevojat e tij.
Visari ka krijuar në pak muaj përfshirje në politikë, një identitet dhe vlerë politikani që qëndron mbi partinë, siç do të duhej të ishte gjenerata e re e politikanëve që mëton të drejtojë sidomos institucionet lokale.
Ai është njeriu më i përshtatshëm për ta integruar Çairin së brendshmi dhe së jashtmi në kuadër të kryeqytetit, lënë “jashtë” si rezultat i politikave nacionaliste maqedonase të deridjeshme.
Çdo zgjidhje tjetër për Çairin do të ishte një kthim prapa i pamerituar, në të gjitha kuptimet.