Kandidati i Aleancës për Shqiptarët për komunën e Dibrës, Arben Agolli në një intervitë ekskluzive për InfoShqip ka folur rreth planeve të tij për Dibrën, arsyen e kandidimit dhe mendimin e tij për atë se cilat janë çështjet prioritare për këtë komunë.
Në pyetjen se si e komenton punën e deritanishme të kundërshtarit të tij përderisa ishte në krye të komunës, ai refuzoi të komentojë duke theksuar se qytetarët do ta vlerësojnë punën e tij në ditën e zgjedhjeve, duke shtuar se nuk beson në fushatë negative.
Agolli theksoi se është i bindur që të dielën Dibra do të zgjedh ndryshim sepse siç theksoi, në Dibër po vjen një qasje e re e të bërit politikë.
Në vazhdim mund ta lexoni intervistën e plotë.
Çfarë ju shtyri të kandidoni për kryetar komune, cila ka qenë arsyeja?
Agolli: Arsyeja kryesore është vullneti im për një Dibër më ndryshe, më të çliruar nga presioni dhe shantazhet, për një komunë në shërbim të qytetarit dhe jo e kundërta, një shpresë për rininë dibrane që të mos marrë rrugën e migrimit duke ju krijuar mundësi punësimi sipas meritokracisë e jo përkatësisë politike.
Cilat janë çështjet prioritare në të cilat do të punoni nëse merrni kreun e komunës?
Agolli: Prioritetet kryesore do të jenë nevojat elementare të qytetarëve siç është furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë, qytet më i pastër dhe një deponi e sistemuar me standarde, zgjidha definitive e statusit të punëtorëve të ndërmarjes komunale, ambiente pushimi dhe rekreacioni për të gjitha grupmoshat, rrugica të asfaltuara, mbrojtje ekologjike e liqenit, rirregullimi i shëtitores të qytetit duke siguruar parking të përkohshëm, mbrojtja fizike e ujësjellsit, çvendosja e largpërçuesit nga zona e banuar dhe revitalizimi i sistemit të vaditjes.
Çfarë inovitete do të sjellni në komunë?
Agolli: Në rradhë të parë një sjellje më miqësore e administratës me qytetarët, një ekip profesionistësh që do mirren me projektet, dorē e zgjatur bashkëpunimi biznesit dhe mërgimtarëve, buxhet për hallet e qytetit jo për dreka e darka, transparencë maksimale për çdo denar të harxhuar.
Si e komentoni punën e deritanishme në krye të komunës të kundërkandidatit tuaj?
Agolli: Punën e deritanishme të kryetarit do ta tregojë sovrani më 29 tetor.
Cilat janë pritjet e juaja nga votimi i së dielës dhe a mendoni se mbështetja nga Lëvizja Besa do të ndikojë në rezultatin e zgjeshjeve?
Agolli: Të dielën në Dibër detyrimisht duhet të ndodhë ndryshimi për faktin se përkrahje më shprehin çdo ditë miqtë e mij që nuk janë vetëm nga Lëvizja Besa dhe Uniteti por të tjerë që u përkasin subjekteve tjera politike bile edhe nga vetë BDI, mbasi në Dibër po vjen një qasje e re e të bërit politikë./InfoShqip.com