Kryetari i Komunës së Gostivarit, z. Nevzat Bejta ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, për përcjelljen e haxhilerëve drejtë vendeve të shenjta të Arabisë Saudite, Meke dhe Medine.
Në ceremoninë e mbajtur në parkingun e madh përballë Qendrës për Kulturë, në prani të familjarëve të tyre, kryetari Nevzat Bejta përgëzoi nijetlinjtë për vendimin e tyre për të plotësuar kushtin e pestë të fesë Islame, Haxhin.
“Të respektuar nijetlinjë, ju në jetën tuaj keni bërë shumë udhëtime por sot po e bëni udhëtimin më të qëlluar në jetën tuaj pasi do të vizitoni vendet e shenjta nga dhe nga ka zbritur Kurani famëlartë. Ju, me këtë udhëtim plotësoni njërën nga pesë kushtet e caktuara për besimtarët nga ana e krijuesit tanë të madhërishëm, Allahut xheleshanuhu. Prandaj, ky udhëtim i juaj është i veçantë dhe unë si kryetar bashkë me qytetarët e Gostivarit, familjarët dhe farefisi juaj, do jemi me ju gjatë udhëtimit dhe qëndrimit tuaj në vendet e shenjta”, uroj kryetari Nevzat Bejta.
Organizatori i ceremonisë, Muftiu i Gostivarit Shaqir Ef. Fetahu në fjalimin e tij uroj haxhilerët e rinj për udhëtimin e tyre drejt vendeve të shenjta, Meke dhe Medine. Shaqiri falënderoi kryetarin Nevzat Bejta për angazhimin institucional në organizimin dhe mbarëvajtjen e ceremonisë dhe me theks të veçantë angazhimin e organeve të rendit.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar nga Muftinia e Bashkësisë Fetare Islame në Gostivar, për përcjelljen e haxhilerëve drejtë vendeve të shenjta të Arabisë Saudite, Meke dhe Medine ishte edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë, Reis ul ulema Sulejman Ef. Rexhepi, i cili po ashtu përgëzoi haxhilerët e rinj për vendimin e tyre që të kryejnë kushtin e pestë Islam, Haxhin. Rexhepi siguroi haxhilerët e rinj që institucioni që drejton është vënë dhe do të jetë në shërbim të plotë në mbarëvajtjen e udhëtimit dhe qëndrimit të tyre në Meke dhe Medine.
Në fund të ceremonisë u bë edhe duaja e Haxhit për pelegrinët gostivaras që u nisën drejt vendeve të shenjta Islame. (INA)