Visar Ganiu nuk do të merr certifikatën për kryetarë të Komunës së Çairit, por do të duhet të përballet në rreth të tretë të zgjedhjeve, raporton SHENJA.
Kështu ka vendosur Gjykata administrative e cila ka pranuar ankesën e Lëvizjes Besa për rivotim në vendvotimin 2901. Numri i votave në këtë vendvotim ka shumë gjasa që të ndryshojë edhe rrezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale dhe të përcaktojë fituesin, për shkak të numrit të madh të votuesve të regjistruar dhe dallimit të ngushtë mes dy kandidatëve që shkuan në balotazh.
Dallimi mes Visar Ganiut dhe Zeqirja Ibrahimit pas rrethit të dytë të votimeve ishte 209 vota, ndërsa në vendvotimin 2901 ka gjithsej 719 votues të regjistruar. Prej tyre në rrethin e dytë kishin votuar vetëm 278 persona, prej të cilëve Zeqirja Ibrahimi kishte fituar 164 vota, Visar Ganiu 98 dhe 17 vota kanë qenë të pavlefshme. Nëse kandidatët marin përsëri votat e fituara në rrethin e dytë, vendimtar për përcaktuesin e fituesit në këtë komunë do të jenë 441 votuesit të cilët nuk kanë votuar në rrethin e dytë.